Një anije cisternë nafte është goditur nga një raketë e paidentifikuar teksa po largohej nga Ngushtica e Hormuzit, duke shkaktuar zjarr në bord.
Lajmi u bë i ditur nga UKMTO, shërbimi britanik për informacionin e sigurisë detare, pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar.
Sipas njoftimit, incidenti ndodhi rreth 8 milje detare nga porti i Khasabit, në enklavën omaniane në veri të Emirateve të Bashkuara Arabe. Deri më tani, nuk raportohen viktima apo ndotje mjedisore.
Ndërkohë, Garda Revolucionare iraniane ka dhënë një version tjetër të ngjarjes.
Sipas mediave shtetërore në Iran, një cisternë nafte ka shpërthyer në flakë pasi ka goditur një minë detare gjatë përpjekjes për të kaluar pranë portit të Khasabit.










