Në ditën e kthimit në Vincent Kompany, Bayerni ngec në ndeshjen ndaj FC Köln në Bundesligë
CR7 realizon golin e 986-të në karrierë, por nga heroi kthehet në protagonistin e një mbrëmjeje zhgënjyese. Al-Ahli përmbys gjithçka në Xheda, duke fituar 3-1.
Një mbrëmje me dy fytyra për Cristiano Ronaldon. Portugezi gjeti rrugën e rrjetës, por shpërdoroi një penallti dhe në fund pa Al-Nassr-in të pësonte një humbje 3-1 në transfertën ndaj Al-Ahli-t, në ndeshjen e prapambetur të javës së 9-të të Saudi Pro League.
Goli i 986-të, por penalltia që ndryshoi gjithçka
Al-Nassr e nisi në mënyrën më të mirë takimin. Në minutën e 14-të, pas një topi të rikuperuar nga Samú Costa, Cristiano Ronaldo u tregua i saktë përballë portierit kundërshtar dhe kaloi miqtë në avantazh. Ky ishte goli i 986-të në karrierën e tij, duke e afruar vetëm 14 realizime larg shifrës historike prej 1000 golash. Por katër minuta më vonë, CR7 pati mundësinë të dyfishonte rezultatin dhe të vendoste ndeshjen në një tjetër rrjedhë. Nga pika e bardhë, 41-vjeçari goditi shtyllën, duke humbur një mundësi të artë. Një tjetër penallti e shpërdoruar për portugezin me fanellën e Al-Nassr-it, i cili tashmë numëron gjashtë gabime nga 11 metrat në aventurën saudite.
Al-Ahli përmbys gjithçka në katër minuta
Shpërdorimi i Ronaldos i dha zemër vendasve, të cilët gjetën barazimin në minutën e parë shtesë të pjesës së parë. Galeno realizoi me një goditje të fuqishme nga distanca, pas asistit të Ivan Toney-t. Në pjesën e dytë, Al-Ahli mori kontrollin e lojës dhe goditi dy herë brenda vetëm katër minutash. Në të 71-ën, pas një rishikimi me VAR për një kontakt në zonë me Merih Demiral, arbitri akordoi penallti. Ivan Toney u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke përmbysur rezultatin. Vetëm katër minuta më pas erdhi edhe goditja përfundimtare. Pas një goditjeje këndi të ekzekutuar nga Eduard Spertsyan dhe devijimit të Galenos, Roger Ibañez dërgoi topin në rrjetë me kokë, duke vulosur fitoren 3-1 të Al-Ahli-t.
Al-Nassr humbet terren në garën për titull
Kjo humbje është një goditje për ambiciet e Al-Nassr-it, që mbetet në vendin e tretë me 28 pikë. Skuadra e Ronaldos humbi mundësinë për t’u afruar me kreun, ku qëndron Al-Hilal me 30 pikë dhe një ndeshje më pak. Tashmë, Ronaldo dhe shokët e tij duhet të kthejnë vëmendjen te ndeshja e radhës, ku të martën, më 24 nëntor, do të presin Al-Sadd në kuadër të AFC Champions League Elite.
Top Channel