Kryetari i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, ka lëshuar akuza të forta ndaj Partisë Socialiste, duke e cilësuar atë si një forcë politike “të krimbur” dhe duke theksuar se brenda saj mungon çdo hapësirë për kritikë ndaj drejtuesve.
Qori komentoi në Zonë e Lirë News24 nisjen e hetimit të SPAK ndaj bashkëshortit të Elisa Spiropalit, duke e quajtur si larje hesapesh.
Qori u shpreh se anëtarët e strukturave drejtuese të PS-së qëndrojnë të bashkuar jo për shkak të bindjeve apo besimit politik, por sepse, sipas tij, kanë krijuar marrëdhënie shantazhi me njëri-tjetrin.
“PS është aq e krimbur, sa bashkë rrinë vetëm për faktin se kanë fuqi për të shantazhuar njëri-tjetrin. Janë 200-300 vetë në Asamble dhe nuk del njeri t’i thotë një kritikë. Arsyeja se përse nuk bëjnë dot kritika është se janë të shantazhueshëm. I shantazhueshëm është një njeri që ka bërë faj”, deklaroi Qori.
Sipas kreut të Lëvizjes Bashkë, kjo situatë shantazhi shpjegon edhe mungesën e reagimeve kritike brenda partisë në pushtet.
