
Një tjetër problemë madhore e matematikës duket se është zgjidhur, pasi një matematikan në kompaninë e inteligjencës artificiale Anthropic pretendoi se ka arritur një provë matematikore për hipotezën e Riemann-it, e mbështetur nga inteligjenca artificiale.
Ky është zbulimi i fundit i jashtëzakonshëm në një valë gjetjesh të prodhuara nga IA, të cilat i kanë lënë matematikanët njerëzorë të tronditur nga mundësia që makineritë t’ua kalojnë atyre, shkruan WP.
Hipoteza e Riemann-it lidhet me strukturën misterioze dhe të paparashikueshme të numrave të thjeshtë, pra numrave që pjesëtohen vetëm me numrin një dhe me vetveten. Ajo konsiderohej një nga misteret më të thella të kësaj fushe dhe është një prej shtatë problemeve të Mijëvjeçarit, për zgjidhjen e pranuar të të cilave ofrohet një çmim prej 1 milion dollarësh.
Zgjidhja e pretenduar normalisht do të ishte një arsye për festë në botën e matematikës. Por ajo vjen në një moment pasigurie për këtë fushë, e cila po përpiqet të përballojë zbulimet e inteligjencës artificiale.
Për matematikanët, tërheqja që ushtrojnë hipoteza e Riemann-it dhe probleme të tjera të ngjashme nuk lidhet me paratë e çmimit, por me aftësinë e tyre për të nxitur zbulime të reja, të dobishme dhe të rëndësishme.
Qindra pyetje të tjera me interes matematikor janë zgjidhur muajt e fundit nga mjete të fuqishme të inteligjencës artificiale, ndërsa kjo fushë ende po përpiqet të kuptojë se si të orientohet pa këto pika referimi që i kanë shërbyer si udhërrëfyes.
“Është e natyrshme të ndjesh se ky është një fund, në rastin tim, humbja e një prej dritave kryesore që më udhëhiqnin”, shkroi Levent Alpöge, matematikani i Anthropic që pretendoi se kishte gjetur zgjidhjen.
“Por ajo që pashë gjatë përparimit të punës më mahniti aq shumë, saqë besoj se ky është një agim i një epoke të re në shkencë, me diçka shumë më të madhe”.
Në një deklaratë të gjatë që shoqëronte zgjidhjen, Alpöge tha se kishte parë Claude-in, emrin që Anthropic u ka vënë modeleve të saj të inteligjencës artificiale, ta tejkalonte me shpejtësi, ndërsa po i afroheshin përfundimit të argumentimit matematikor. Alpöge tha se kishte ndihmuar në orientimin e IA-së drejt një ideje fillestare dhe më pas “Claude nisi të më linte pa fjalë”.
Anthropic nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Tani, matematikanëve do t’u duhet të shqyrtojnë provën për ta kuptuar atë; disa mund të përdorin edhe mjete të inteligjencës artificiale për t’i ndihmuar në këtë proces. Alpöge publikoi një certifikatë me 17 milionë rreshta kodi, për të cilën tha se verifikonte formalisht saktësinë e argumentimit, por nuk paraqiti një punim të shkruar, i cili do të kishte të paktën 250 mijë faqe.
“Do të ishte qartësisht e papërshtatshme të përpiqesha të publikoja ndonjë tekst masiv, të palexueshëm dhe të pavlerë”, shkroi ai, duke iu referuar faktit se një punim i tillë do të ishte prodhuar kryesisht nga inteligjenca artificiale.
Por ai iu referua edhe ndjenjës së çuditshme të humbjes që shumë matematikanë kanë përjetuar teksa shohin IA-në të përvetësojë problemet e tyre më të çmuara. Ai tha se koha e publikimit të zgjidhjes, për të cilën pretendoi se e kishte përfunduar të dielën, nuk kishte lidhje me hyrjen rekord të Anthropic në bursë. Kompania doli publike të enjten, me një vlerësim fillestar prej 1.5 trilionë dollarësh.
“Koha e saktë e publikimit është e tmerrshme. Sikur të kisha mundur, do ta kisha përfunduar të gjithë këtë shumë më herët”, shkroi ai. “Madje, do të kishte qenë shumë më mirë sikur ta kisha përfunduar para kësaj epoke”.
Alpöge tha se ishte konsultuar me drejtuesit e Anthropic për njoftimin e zgjidhjes dhe se ata kishin vendosur përfundimisht se publikimi i saj ishte gjëja e duhur për t’u bërë.
“Ky problem ka qenë objekti i shenjtë i matematikës për mua që në fëmijëri dhe jam shumë i ndjeshëm ndaj mënyrës se si trajtohen synimet e mëdha intelektuale, sado të papërsosura të jenë. Thjesht nuk mund të jetoja me veten nëse do të prisja edhe më gjatë”, tha ai.
Për matematikanët, inteligjenca artificiale ka nxitur një debat ekzistencial dhe emocional mbi të ardhmen e kësaj fushe dhe qëllimin e ekzistencës së tyre profesionale. Disa matematikanë fajësojnë kompanitë e IA-së për testimin e modeleve të tyre me probleme të avancuara matematikore.
Në fillim të këtij viti, OpenAI, kompania që krijoi ChatGPT, tha se modelet e saj kishin zgjidhur problemin Navier-Stokes, një tjetër prej problemeve të Mijëvjeçarit.
Njoftimi shkaktoi polemika të ashpra, pasi Alpöge dhe një tjetër matematikan kishin qenë në gjurmët e një zgjidhjeje duke përdorur njëkohësisht mjetet e Anthropic dhe OpenAI. Partneri i Alpöge-së, matematikani i Universitetit të Nju-Jorkut, Tristan Buckmaster, kishte ngritur dyshime nëse OpenAI kishte pasur në mënyrë të papërshtatshme qasje në kërkesat e tij drejtuar modeleve të IA-së, pretendim që kompania e mohoi.
Në një tjetër tregues të aftësive matematikore të inteligjencës artificiale, Buckmaster tha të premten se ai dhe Alpöge kishin arritur një tjetër përparim në lidhje me problemin Navier-Stokes, me ndihmën e IA-së.
The Washington Post ka një partneritet për përmbajtjen me OpenAI.
Në javët pas kësaj polemike, OpenAI publikoi një grup prej 400 zgjidhjesh të problemeve të rëndësishme matematikore, të realizuara me ndihmën e inteligjencës artificiale, duke shkaktuar edhe më shumë tronditje te matematikanët. Drejtuesit e kompanisë dhe disa matematikanë kanë argumentuar se mënyra e duhur për t’i trajtuar këto zbulime është publikimi i tyre për publikun, në vend që të mbahen të fshehta.
Në dokumentet e paraqitura investitorëve, drejtuesit e Anthropic kanë argumentuar se inteligjenca artificiale mund të transformojë shkencën dhe zbulimet njerëzore, duke promovuar objektiva ambicioze, siç është gjetja e një kure për kancerin. Në deklaratën e tij, Alpöge e shtriu këtë optimizëm të madh edhe në fushën e matematikës.
“Në një kohë revolucioni në matematikë, shpresoj që ky argument të ofrojë një vështrim paraprak të mrekullive që na presin dhe të na tregojë gëzimin dhe mahnitjen që do të zbulojmë në gjërat më të thjeshta”, shkroi Alpöge.
Tani, komunitetit të matematikanëve do t’i duhet ta përvetësojë këtë zbulim. Në orët pasi pretendimi i Alpöge-së nisi të qarkullonte në internet, matematikanët nxituan drejt forumeve online për të nisur diskutimin e punës së tij.
“Nëse rezulton të jetë e saktë, do të jetë një moment i paharrueshëm” për matematikën, tha në një mesazh profesori i Universitetit Cornell, Steven Strogatz. “Një kalorës shumë i aftë i IA-së, mbi një kalë shumë të shpejtë të IA-së”.