Wenger vjen me një propozim të ri për pozitën jashtë loje, këtë herë ndryshimi prek një pjesë të trupit

Arsene Wenger nuk ka hequr dorë nga ideja për ta ndryshuar rregullin e pozitës jashtë loje. Pasi propozimi i tij i parë nuk dha rezultatet e pritura dhe u braktis pas një periudhe testimi në futbollin kanadez, ish-trajneri i Arsenalit ka prezantuar një tjetër ide, e cila këtë herë përqendrohet te një pjesë e rëndësishme e trupit të futbollistëve.
Wenger, i cili aktualisht drejton departamentin e Zhvillimit Global të Futbollit në FIFA, prej kohësh po punon për ndryshimin e rregullit të pozitës jashtë loje. Synimi i tij është që loja të bëhet më atraktive dhe të krijohen më shumë mundësi për shënimin e golave.
Propozimi i tij i mëparshëm parashihte që një futbollist të konsiderohej në pozitë jashtë loje vetëm nëse i gjithë trupi i tij do të ishte përtej vijës së mbrojtësit të fundit. Pra, nëse sulmuesi kishte qoftë edhe një pjesë të trupit në vijë me mbrojtësin, pozita nuk do të konsiderohej jashtë loje.
Ky rregull u testua edhe në një garë zyrtare, pasi Kampionati Kanadez e aplikoi gjatë verës së vitit 2026, nën mbikëqyrjen e afërt të Bordit Ndërkombëtar të Shoqatave të Futbollit (IFAB).

Megjithatë, eksperimenti u ndërpre në fund të tetorit, ndërsa u braktisën edhe planet për ta testuar në liga të tjera. Arsyeja ishte se rezultatet nuk përputheshin me pritjet fillestare: në vend që të shtohej ritmi i lojës sulmuese, skuadrat filluan të përshtateshin në mënyrë që të përfitonin nga rregulli i ri.
Sipas statistikave të publikuara, vendimet për pozitë jashtë loje u reduktuan për 54 për qind, ndërsa në 112 ndeshjet e zhvilluara me këtë rregull u shënuan 13 gola që do të anuloheshin sipas rregullave të zakonshme.
Por, ndikimi në mënyrën e organizimit të mbrojtjes ishte i madh. Mbrojtësit filluan të pozicionoheshin mesatarisht tri metra më afër portës së tyre sesa më parë. Kjo e vështirësoi lojën sulmuese dhe ndikoi edhe në situatat e goditjeve standarde.
Pas dështimit të këtij eksperimenti, Wenger ka ardhur me një propozim të ri. Sipas gazetës amerikane The New York Times, francezi ia ka prezantuar IFAB-it një version të ndryshuar të rregullit, i cili këtë herë do ta përcaktonte pozitën jashtë loje duke u bazuar ekskluzivisht në pjesën e sipërme të trupit.
Sipas kësaj ideje, nëse një futbollist sulmues ka këmbën ose gjurin përtej vijës së mbrojtësit të fundit, ai nuk do të konsiderohej në pozitë jashtë loje. Në anën tjetër, nëse ndonjë pjesë e sipërme e trupit – si koka, shpatullat, krahët apo pjesë të tjera, do të ishte përtej vijës së lejuar, atëherë do të sinjalizohej pozita jashtë loje.
Propozimi i ri tashmë është në pritje të vlerësimit nga IFAB, organi që përcakton dhe ndryshon rregullat e futbollit. Mbetet të shihet nëse kjo ide do të marrë dritën jeshile për t'u testuar në ndonjë kampionat dhe nëse do të ketë më shumë sukses se propozimi i parë i Wengerit./Telegrafi/








































