Kryeministri Edi Rama publikoi në orët e vona të mbrëmjes një fotografi nga një takim me një grup studentësh protestues, duke e cilësuar bisedën si një “dialog inkurajues”. Por, përtej mesazhit optimist të kryeministrit në rrjetet sociale, i postuar në mes të natës për të krijuar idenë e angazhimit të tij për të takuar studentët, më shumë flet për të kundërtën, sesa për dialog dhe studentë të vërtetë, të cilët kanë qenë të qartë prej më shumë 5 muajsh, s'ka dialog më me Ramën, vetë dorëheqje.
Kush ishin studentët që u ulën në tryezë me Ramën? A bëhej fjalë për përfaqësues të zgjedhur nga vetë protestuesit apo për persona të kontaktuar dhe përzgjedhur nga Kryeministria? Mbi çfarë kriteresh u vendos pjesëmarrja e tyre dhe, mbi të gjitha, kë përfaqësonin?
Studentët kanë protestuar prej muajsh dhe kanë refuzuar ftesat e mëparshme të kryeministrit për dialog. Në këto kushte, është e rëndësishme të sqarohet nëse grupi i takuar nga Rama kishte një mandat për të përcjellë kërkesat e protestës apo nëse pjesëmarrësit shprehën vetëm qëndrimet e tyre individuale.
Edhe përmbajtja e bisedës mbetet e panjohur. Çfarë u diskutua konkretisht në Pallatin e Brigadave? Cilat kërkesa u parashtruan dhe çfarë përgjigjesh apo zotimesh morën studentët? Rama shkruan se ishte dakord me “jo pak” nga shqetësimet e tyre, por nuk ka dhënë detaje se për cilat çështje bëhej fjalë.
Kryeministri e shoqëroi postimin edhe me një dallim mes studentëve që besojnë te protesta dhe atyre që përdorin gurët. Megjithatë, një fotografi dhe disa rreshta në rrjetet sociale nuk mund të zëvendësojnë transparencën për një takim që lidhet drejtpërdrejt me një lëvizje studentore në zhvillim..
Studentët kanë njoftuar mbajtjen e një tjetër proteste më 28 nëntor në Tiranë. Mbetet për t'u parë nëse ky takim do të ndikojë në qëndrimin e lëvizjes studentore apo do të mbetet thjesht një episod i veçuar, i prezantuar nga Rama si një hap drejt dialogut.
© SYRI.net