“Për ne, ai është një vrasës”, Zelensky reagon pasi Trump e quajti Putinin mik: Nuk ndien presion të mjaftueshëm

21/11/2026 07:13

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka reaguar ndaj deklaratave të homologut amerikan Donald Trump, i cili gjatë qëndrimit në Kinë iu referua presidentit rus Vladimir Putin si “miku im”.

Në një intervistë për CNN, Zelensky tha se mënyra se si Trump zgjedh ta quajë kreun e Kremlinit është çështje e tij, por theksoi se për Ukrainën Putini mbetet armik dhe përgjegjës për vrasjen e njerëzve.

“Për ne, ai është armik… për ne, ai është një vrasës”, deklaroi Zelensky.

Deklarata e presidentit ukrainas vjen pasi Trump, në kuadër të një takimi historik trepalësh me presidentin kinez Xi Jinping dhe Vladimir Putin, të enjten e përshkroi liderin rus si mik, duke shtuar se mes tyre ekziston një marrëdhënie e mirë prej shumë vitesh.

Zelensky, nga ana tjetër, kritikoi qasjen e Trumpit ndaj Putinit, duke argumentuar se një gjuhë e tillë nuk ushtron presionin e nevojshëm ndaj Moskës.

“Të flasësh për Putinin sikur të ishte mik do të thotë se ai nuk ndien presion të mjaftueshëm”, u shpreh presidenti ukrainas. Ai shtoi se, sipas tij, Putini vazhdon të jetë përgjegjës për vrasje çdo ditë dhe natë.

Ndërkohë, presidenti amerikan u shpreh të premten se beson që Putini dëshiron t’i japë fund luftës, duke theksuar se marrëdhënia e tij me liderin rus është një faktor pozitiv.

“Unë mendoj se të dy duan t’i japin fund luftës dhe është një gjë shumë e mirë që unë kam një marrëdhënie me të”, deklaroi Trump për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë.

Trump përsëriti se e konsideron Putinin mik, por u tregua më i rezervuar kur u pyet nëse lideri rus është mik edhe i Shteteve të Bashkuara.

Deklaratat politike vijnë në një moment kur Ukraina është përballur me një valë të re sulmesh ruse. Sipas Zelenskyt, të paktën nëntë persona humbën jetën nga sulmet ndaj urave në Kiev dhe stacioneve hekurudhore të premten.

Presidenti ukrainas e cilësoi këtë sulm si “më të madhin e këtij viti”, duke bërë të ditur se Rusia kishte lëshuar 110 raketa, mes tyre 27 raketa balistike, si dhe më shumë se 400 dronë. Sulmet pasuan dëmtimin e rëndë të urës së Krimesë nga Ukraina, disa ditë më parë.

Përshkallëzimi i situatës është reflektuar edhe në Poloni, e cila njoftoi se një raketë lundruese ruse ishte mes tre objekteve që shkelën hapësirën e saj ajrore në juglindje të vendit, në orët e para të së premtes.

Kryeministri polak, Donald Tusk, deklaroi se incidenti nuk dukej të ishte aksidental, veçanërisht pasi në rajon po zhvilloheshin stërvitje ushtarake të forcave perëndimore.

Autoritetet polake raportuan se nuk pati persona të lënduar apo dëme materiale, ndërsa Varshava e cilësoi ngjarjen si një “provokim” nga Moska.

Edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, dënoi atë që e quajti “shkelje të rënda të hapësirës ajrore polake”, duke bërë të ditur se avionët luftarakë të Aleancës u ngritën në ajër në përgjigje të incidentit.

Ministri polak i Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz, bëri të ditur se një prej raketave goditi një zonë rurale pranë Nowy Lipowiec, rreth 50 kilometra larg kufirit me Ukrainën.

Sipas autoriteteve polake, raketa ra rreth 100 kilometra larg zonës ku po zhvillonin stërvitje ushtarake trupa evropiane nga 11 prej 36 vendeve pjesëmarrëse në koalicionin për Ukrainën.

Një raketë tjetër dhe një dron me motor reaktiv dyshohet se kanë rënë në dy zona të tjera. Deri më tani, Rusia nuk ka reaguar zyrtarisht lidhur me shkeljen e raportuar të hapësirës ajrore polake.

Top Channel