Vendosni fjalën kyçe....

Ish-presidenti brazilian Bolsonaro shtrohet në spital për shkak të shqetësimeve shëndetësore



Ish-presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, është shtruar në spital në Brasília pasi ka shfaqur dhimbje në bark. Sipas djalit të tij, Carlos Bolsonaro, ish-kreu i shtetit është diagnostikuar me një bllokim pothuajse të plotë të zorrëve, sipas DW.

Spitali DF Star njoftoi se Bolsonaro kishte shfaqur fryrje të barkut dhe po i nënshtrohej ekzaminimeve mjekësore. Carlos Bolsonaro bëri të ditur se babait të tij po i jepen medikamente kundër dhimbjeve dhe se mjekët po përpiqen fillimisht ta trajtojnë gjendjen pa ndërhyrje invazive.

Bolsonaro, 71 vjeç, ka pasur disa shtrime në spital dhe ndërhyrje kirurgjikale që prej vitit 2018, kur u godit me thikë në bark gjatë fushatës elektorale.

Ish-presidenti, i cili drejtoi Brazilin nga viti 2019 deri në vitin 2022, u dënua me 27 vjet burg për përpjekjen për grusht shteti pas humbjes në zgjedhjet presidenciale të vitit 2022 përballë Luiz Inácio Lula da Silvës. Ai pretendon se është viktimë e një persekutimi politik nga sistemi gjyqësor.

Bolsonaro ndodhet në arrest shtëpie për arsye humanitare, të lidhura me gjendjen e tij shëndetësore. Djali i tij, Carlos, kritikoi masën e sigurisë dhe ia atribuoi asaj përkeqësimin e gjendjes së të atit.

Sipas tij, shëndeti i ish-presidentit po përkeqësohet çdo ditë për shkak të mungesës së lëvizjes dhe asaj që ai e cilësoi si “torturë psikologjike” të përditshme gjatë qëndrimit në arrest.