Rama nxjerr pamjet pas takimit me një grup studentësh: Dialog inkurajues me ata që besojnë te protesta jo te gurët

Kryeministri Edi Rama ka ndarë me ndjekësit e tij në rrjetin social Facebook detaje dhe pamje nga një takim i zhvilluar me një grup studentësh, përmes dy postimeve të publikuara – njërit mbrëmë vonë dhe tjetrit mëngjesin e sotëm.
Në postimin e mbrëmjes së djeshme, kreu i qeverisë e cilësoi bisedën si një “dialog inkurajues me studentë që besojnë te protesta, jo te gurët”, duke shtuar se, “çuditërisht”, ata e gjetën dakord në “jo pak nga shqetësimet e tyre”, duke e mbyllur postimin me shënimin “Vijon…”.
Ndërsa në postimin e mëngjesit, Rama e ka shoqëruar me një videokartolinë nga takimi, ku shpjegon se me studentët është rënë dakord që për momentin të mos publikohet debati, por vetëm pamjet e bisedës.
Gjithashtu, në mesazhin e mëngjesit, Rama shprehu falënderim për Sara Bodon, duke vlerësuar punën e saj në drejtimin e Agjencisë Kombëtare të Rinisë, e cila, sipas tij, është kthyer në “një magnet për vajza e djem pa dallim bindjesh”, teksa u uroi ndjekësve një fundjavë të qetë.
“Mirëmëngjes dhe me një videokartolinë nga dialogu me studentë që besojnë te protesta jo te gurët, me të cilët ramë dakord të mos e publikojmë hëpërhë debatin po vetëm pamjet, si edhe me falënderimin për Sara Bodon që e ka kthyer Agjencinë Kombëtare të Rinisë në një magnet për vajza e djem pa dallim bindjesh, ju uroj fundjavë të qetë”, shkruan Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



