Eglant Koçi u zhduk pa lënë gjurmë, çfarë zbuluan dëshmitë për kriptomonedhat dhe “Dhelprën e kuqe”

Kryesore

Publikuar: 21/11/2026

Eglant Koçi u zhduk pa lënë gjurmë, çfarë zbuluan dëshmitë për kriptomonedhat dhe “Dhelprën e kuqe”

Në Shënjestër

Zhdukja e 34-vjeçarit Eglant Koçi në qershor të vitit 2026 vuri në lëvizje policinë, pasi familjarët ngritën dyshimet se i riu mund të ishte rrëmbyer dhe vrarë. Eglanti ishte parë për herë të fundit më 4 qershor, duke lëvizur me motorin e tij tip “Honda” në Tiranë, ndërsa prej atij momenti nuk kishte pasur më asnjë kontakt me familjen.

Një ditë më pas, më 5 qershor, vëllai i tij, Ledio Koçi, u paraqit në Komisariatin nr. 2, ku denoncoi zhdukjen dhe shprehu dyshimet për fatin e të vëllait.

Në kallëzimin e tij, sipas dosjes hetimore, ai deklaroi: “Vëllai im Eglant Koçi është larguar nga banesa që në datën 4 Qershor 2026, ora 11.00, dhe që prej asaj kohe kam humbur komunikimin me të.”

Në dëshminë e dytë, Ledio Koçi tregoi se i vëllai merrej me shkëmbimin e kriptomonedhave, duke ngritur dyshimet se zhdukja mund të kishte lidhje me aktivitetin financiar që kryente.

Policia verifikoi një pikë këmbimi valutor në zonën e Laprakës, pranë Spitalit të Traumës, ku sipas familjarëve Eglanti kryente konvertimin e kriptomonedhave. Pronari i subjektit, Julian Kërçiku, pranoi se e njihte të riun dhe se ai kryente transferta valutore, por mohoi që pika e tij të përdorej për shkëmbimin e kriptomonedhave.

Një tjetër emër që doli gjatë hetimeve ishte ai i Armand Shakajt, i njohur në botën e krimit edhe me nofkën “Dhelpra e kuqe”. Ishte nëna e Eglantit ajo që e përmendi fillimisht si një mik dhe komshi të të birit.

I pyetur nga policia, Shakaj deklaroi se e kishte takuar Eglantin më 3 qershor dhe se ky i fundit i kishte treguar për probleme me call center-at dhe kriptomonedhat. Një deklarim që, sipas hetimeve, do të rezultonte pjesë e alibisë së tij.

Automjeti tip “Porsche Cayenne” në pronësi të Armand Shakajt u kthye në një nga provat kryesore të hetimit për zhdukjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi.

Pas verifikimeve të kamerave të sigurisë, policia zbuloi se makina ishte dërguar në një lavazh në zonën e “Siri Kodrës”, në fund të Bulevardit të Ri.

Sipas dosjes hetimore, më 6 qershor 2026, Shakaj kishte dërguar automjetin për një larje të plotë. Pronari i lavazhit, Petrit K., tregoi se makina ishte shumë e ndotur nga balta dhe se drejtuesi kishte kërkuar pastrimin e saj edhe në pjesën e brendshme.

Në dëshminë e tij në polici, ai i kishte thënë: “Dua të laj automjetin komplet, brenda dhe jashtë, si dhe tapicerinë.” Më tej, sipas tij, drejtuesi i automjetit i kishte deklaruar: “Sa kushton tapiceria për ta larë, sepse është me baltë shumë.”

Por gjatë pastrimit, dy punonjësit e lavazhit konstatuan diçka që do të merrte rëndësi të madhe për hetimin, njolla të kuqe, që në pamje të parë ngjanin me gjak, në pjesën e tapetit pas sediljes së shoferit. Ndërkohë, në bagazh u konstatuan një lopatë, një krik, vegla pune dhe sende të tjera.

Në dëshminë e tij, pronari i lavazhit tregoi edhe për sendet që kishte vënë re në automjet: “Në bagazhin e këtij automjeti ndodhej një lopatë gome, një krik, xhiromakine dhe disa bidona me ujë.”

Dy punonjësit që pastruan automjetin konfirmuan gjithashtu praninë e njollave të dyshimta. Ata deklaruan në polici: “Gjatë pastrimit në pjesën e tapetit të automjetit tip ‘Porsche Cayenne’, mbrapa ndenjëses së shoferit, konstatuam lëng të kuq, në pamje të parë si gjak.”

Pronari i lavazhit arriti të identifikonte Armand Shakajn pasi iu paraqit fotografia e tij nga policia. Ai tregoi gjithashtu se Shakaj kishte mbërritur në lavazh i shoqëruar nga një person tjetër, të cilin punonjësit e dëgjuan ta thërriste me emrin “Enea”.

Verifikimet zbuluan se bëhej fjalë për Enea Zyferin, kamarierin që punonte në lokalin e Shakajt. Gjetjet në automjet, njollat e dyshuara si gjak dhe prania e mjeteve të punës u kthyen në indicie të rëndësishme për grupin hetimor.

Pamjet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e personave të marrë në pyetje zbuluan detaje të rëndësishme mbi lëvizjet e Armand Shakajt pas zhdukjes së 34-vjeçarit Eglant Koçi. Sipas dosjes hetimore, më 5 qershor 2026, vetëm një ditë pasi Eglanti ishte raportuar i zhdukur, Shakaj është filmuar duke dalë nga lokali i tij me një thes të zi, të cilin e tërhiqte zvarrë dhe më pas e vendosi në automjetin e tij. Menjëherë pas tij është parë edhe kamarieri Enea Zyferi.

Armand Shakaj egland koci (1)

Në dosjen hetimore përshkruhet se: “Armand Shakaj del nga lokali i tij me një thes të zi, të cilin e tërheq zvarrë dhe më pas e fut në makinën e tij. Dhe menjëherë pas tij del edhe Enea Zyferi.”

Në dëshminë e dhënë para oficerëve të policisë, Zyferi deklaroi se Shakaj i kishte kërkuar ndihmë për të ulur automatin e lokalit, pasi do të ngarkonte një frigorifer. Më pas, sipas tij, të dy kishin shkuar për të larë makinën në lavazh.

Ai deklaroi: “Armand Shakaj më kërkoi që ta ndihmoja me uljen e automatit, pasi ai kishte për të ngarkuar një frigorifer. Dhe më pas shkuam të lanim makinën në një lavazh.”

Por ky version nuk bindi grupin hetimor. Pamjet filmike, së bashku me të dhënat e tjera të mbledhura, ngritën dyshimet se thesi i zi mund të ishte përdorur për të vendosur brenda tij trupi i pajetë i Eglant Koçit.

Policia dyshonte se Enea Zyferi kishte ndihmuar Shakajn në largimin e kufomës nga lokali. Për këtë arsye ai u ndalua si i dyshuar për përkrahje të autorit të krimit dhe gjykata vendosi fillimisht masën e arrestit me burg. Pas gjashtë muajsh, masa u zëvendësua me arrest në shtëpi, për shkak të rrethanave familjare të paraqitura prej tij.

Një tjetër element që ngriti dyshimet ishte fakti se kamerat kishin dokumentuar takimet e shpeshta mes Shakajt dhe Zyferit në ditët kur Eglanti rezultonte i zhdukur. Megjithatë, në atë fazë policisë i mungonte prova vendimtare: trupi i 34-vjeçarit.

Pas dy javësh kërkimesh, më 18 qershor 2026, trupi i pajetë i 34-vjeçarit Eglant Koçi u gjet në një humnerë në fshatin Cerrunjë, në zonën malore mes Tiranës dhe Elbasanit. Prania e një numri të madh sorrash kishte alarmuar banorët e zonës, të cilët dyshonin se në atë vend mund të ndodhej trupi i një njeriu.

Eglant Koçi
Eglant Koçi

Në njoftimin zyrtar të policisë thuhej: “Në territorin e fshatit Cerrujë, lagjia Domush, është gjetur në proces dekompozimi, një trup njeriu i seksit mashkull.”

Në operacionin e kërkimit u përfshinë policia, forcat RENEA dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës, ndërsa u përdorën edhe dronë për kontrollin e terrenit. Një element i rëndësishëm në orientimin e hetimeve ishin edhe sinjalet e fundit të telefonit të Armand Shakajt, i cili gjatë ditëve kur Eglant Koçi rezultonte i zhdukur ishte lokalizuar disa herë në këtë zonë.

Pas gjetjes së trupit, dyshimet e policisë u përqendruan edhe më shumë te Armand Shakaj, i cili kishte qenë mik dhe komshi i viktimës. Sipas të dhënave të dosjes, autopsia kishte konstatuar se Eglant Koçi ishte qëlluar me armë zjarri pas koke, duke lënë të dyshohej se autori e kishte qëlluar nga pas.

Në rindërtimin e ngjarjes, hetuesit dyshojnë se përplasja mes dy personave mund të ketë pasur si shkak kriptomonedhat dhe paratë me fajde. Dyshohet se konflikti kishte ndodhur në ambientet e lokalit të Shakajt, ku 34-vjeçari mund të ishte mbajtur me forcë përpara se të ekzekutohej.

Gjetja e trupit i dha një tjetër drejtim hetimit, duke plotësuar një nga elementet që deri në atë moment i mungonin policisë për të rindërtuar ngjarjen dhe për të dokumentuar dyshimet mbi mënyrën se si ishte kryer krimi.