Sulm rus në vendlindjen e Zelensky-t, humb jetën një 7-vjeçar dhe plagosen 40 persona, 25 në gjendje të rëndë

Një fëmijë 7-vjeçar ka humbur jetën, ndërsa 40 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur pas një sulmi me raketë nga Rusia në qytetin e Krivi Rihut, në rajonin e Dnipropetrovskut në Ukrainë.
Lajmi është bërë i ditur nga autoritetet lokale. Guvernatori i rajonit, Oleksandr Hanzha, njoftoi përmes një postimi në Telegram se raketa ruse goditi një zonë qendrore të qytetit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në banesa, dyqane dhe automjete të parkuara.
Pas sulmit, guvernatori publikoi edhe fotografi nga vendngjarja, ku duken dëmet e shkaktuara nga goditja.
Sipas autoriteteve lokale, 25 nga 40 personat e plagosur ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore. Mes të lënduarve ka edhe disa fëmijë.
Krivi Rihu është një nga qytetet më të mëdha të Ukrainës dhe njihet gjithashtu si vendlindja e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
/vizionplus.tv




