Kryeministri Edi Rama do të mbledhë këtë të shtunë Asamblenë e Partisë Socialiste në Tiranë, ku në qendër të diskutimeve pritet të jenë përgatitjet për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027. Vëmendja kryesore do të përqendrohet te organizimi elektoral dhe gara për drejtimin e Bashkisë së kryeqytetit.
Takimi është planifikuar të zhvillohet në orën 11:00, në ambientet e “Xibrakut”. Pritet që mbledhja të mbahet me dyer të mbyllura, megjithëse deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar për këtë.
Mbledhja vjen një ditë pas takimit që Rama zhvilloi në Kryeministri me ministrat dhe drejtuesit politikë të qarqeve, ku u diskutua për intensifikimin e organizimit partiak dhe përmirësimin e komunikimit me qytetarët.
Një nga prioritetet e socialistëve mbetet mobilizimi i strukturave në terren, vijimi i takimeve me qytetarët dhe evidentimi i problematikave të tyre. Në këtë kuadër, Rama u ka kërkuar përfaqësuesve të PS-së të mbajnë të fortë kontaktin e drejtpërdrejtë me elektoratin.
Përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme lokale ishin gjithashtu në fokus të Asamblesë së Përgjithshme të PS-së, të mbajtur më 14 nëntor në Gjirin e Lalzit. Gjatë asaj mbledhjeje, Rama vendosi largimin e Erion Veliajt nga drejtimi i PS-së në Tiranë dhe kërkoi angazhim më të madh të strukturave për betejën elektorale.
Ndërkohë, Ervin Demo dhe Albana Koçiu u caktuan në drejtimin organizativ të socialistëve në kryeqytet.


