Kryeministri Edi Rama ka publikuar këtë të premte pamje nga takimi i zhvilluar një ditë më parë me një grup studentësh, të cilët pranuan ftesën e tij për të diskutuar mbi shqetësimet që i kanë nxjerrë në protestë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë i cilëson ata si “studentë që besojnë te protesta dhe jo te gurët”, duke bërë të ditur se palët kanë rënë dakord që debati të mos bëhet publik për momentin dhe të publikohen vetëm pamjet nga takimi.
Takimi vjen pas disa ftesave të përsëritura të Ramës gjatë dy javëve të fundit, përmes të cilave kryeministri u ka kërkuar studentëve të ulen në dialog. Në këtë kuadër, para godinës së Kryeministrisë ishte vendosur edhe një tryezë, e cilësuar si “sofra e dialogut”.
Në mesazhin e tij, Rama ka falënderuar gjithashtu Sara Bodon për punën në drejtimin e Agjencisë Kombëtare të Rinisë, të cilën e ka cilësuar si një hapësirë tërheqëse për të rinjtë, pavarësisht bindjeve të tyre.
“Mirëmëngjes dhe me një videokartolinë nga dialogu me studentë që besojnë te protesta jo te gurët, me të cilët ramë dakord të mos e publikojmë hëpërhë debatin po vetëm pamjet, si edhe me falënderimin për Sara Bodon që e ka kthyer Agjencinë Kombëtare të Rinisë në një magnet për vajza e djem pa dallim bindjesh, ju uroj fundjavë të qetë”, shkruan Rama.
Ndërkohë, dy javë më parë u prezantua edhe platforma “Fol me kryeministrin”, përmes së cilës qytetarët kanë mundësi të përcjellin drejtpërdrejt te institucionet qeveritare shqetësimet dhe problematikat e tyre.


