Nga Agim Nesho - 09:17, 21/11/2026
Nuk ka ndodhur kurrë që një showman nga një vend i vogël të bëhet pjesë e skenave zyrtare të politikës europiane: herë me atletet e bardha, herë me vizatimet e tij të “komplikuara”, i ulur në gjunjë para kryeministres simpatike, dirigjent i udhëheqësve europianë përpara fotos zyrtare të samiteve, herë si përqafues surprizues i kryeministrave duke ju mbyllur sytë apo kapur nga mbrapa, etj.
Por loja nuk mbaron vetëm me shfaqjet dhe ekzibicionizmin e Edi Ramës për të tërhequr vëmendjen e shtypit botëror. Ai është i bindur se është një talent politik që udhëheq botën perëndimore në politikat e saj. Ai nuk e pranon Presidentin Trump si ‘turpi i civilizimit’, tallet në Bruksel me të se i përvetëson inisiativat e paqes Armeni-Azerbajxhan Makronit; flet në Romë se Europa nuk duhet të lejojë fuqi të huaja për të zgjidhur konfliktin me Ukrainën; këshillon OKB-në që do të bëhet e pavlefshme në qoftë se nuk mëson nga Bordi i Paqes; zhgënjehet në Berlin që Bashkimi Europian ka bërë një gabim strategjik që nuk ka lënë një kanal komunikimi me Rusinë, etj., etj.
Në historinë botërore jemi njohur me faktin që mbretërit e fuqishëm përdornin lolot e tyre për të luajtur me kundërshtarët, por kur loloja bën punën e Mbretit këtë po e përjetojmë tani.
Lind pyetja: Pse Edi Ramës i mundësohet një rol i tillë? Është karizma e tij, e një basketbollisti dhe piktori mediokër që e bënë atë të veçantë dhe të pranueshëm për të gjithë apo eksperimenti që ai bën me një shtet të vogël duke e kthyer në ishullin europian të narko-shtetit? Është eksperimenti një strategji europiane apo europianët janë të kënaqur me prodhimet e këtij eksperimenti?
Ajo që dimë deri tani nga kjo “enigmë” tërheqëse e Shqipërisë së Edi Ramës është se pas eksperimentimit të projektit të “kanabisit politik” ai u ndje më i barabartë se të barabartët në skenën europiane duke shkelur dhe protokollin më serioz francez dhe përqafuar me dorën e tij në shpatull presidentin Makron.
Ashtu si vëllai i tij Vuçiç, edhe kryeministri Rama që në fillimet e tij mori këshilltarë të shumtë ish-kryeministra si Tony Blair, D’Alemma, Charles Michel (ish-president i Këshillit Europian), etj., etj., të cilët pas këshillave qeveritare marrin si koncesion veprimtari ekonomike, përfaqësim në arbitrazh, konsulencë ligjore për çështjen e detit, etj. keta këshilltarë të zellshëm europianë, të cilëve nuk ju intereson që Shqipëria po shket në një autokraci elektorale si Rusia e Putinit, por mirëqenia dhe pasurimi i tyre janë shembulli më i mirë për lidera të tjerë në pushtet si të mbyllin karrierën, jo sic pretendon Rama si rrobaqepës të rëndomtë, por si bosa për të marrë atë që nuk e kanë imagjinuar kurrë në demokracitë e tyre. Strategjia e Ramës është dhe më e thellë duke i lënë mundësi cdo lideri apo burokrati europian, të cilët në këmbim të ndihmës për ta mbajtur në pushtet, mund të mbushin numrin e këshilltarëve në të ardhmen. Dërgimi i çantave me dollarë tek McGonigal ishte një veprim që linte gjurmë, por mjelja e Shqipërisë me këshilltarë është diçka e justifikueshme.
Në qoftë se Shqipëria është bërë plackë tregu për pushtetin personal të Edi Ramës, kjo nuk është problemi i tyre por i popullit shqiptar. Hienat vetëm kafshojnë kërmën, nuk ju intereson se kush e ka shkaktuar dhe si.
Këta këshilltarë me lidhjet e vjetra të tyre i kursejnë kohë Ramës të blejë influencë në kancelaritë botërore. Shteti i së drejtës, demokracia kanë qenë pjesë vetëm e kohës kur kanë shërbyer në jetën publike në vendet e tyre. Shqipëria për ta ekziston vetëm me Edi Ramën, punëdhënësin e tyre. Sa më kontraversial të jetë ai, aq më të nevojshëm bëhen ata.
Sot populli Shqiptar është ngritur kundër regjimit të korruptuar dhe shpërdorimeve të regjimit të Edi Ramës. Liderat europianë heshtin ndaj instalimit të narko-shtetit në Shqipëri, dhe komisionerja Kos deklaron se Shqipëria është shumë afër integrimit europian dhe Edi Rama është udhëheqës me vizion.
Aq konfident është Edi Rama në këtë përkrahje sa e di përpara që Komisioni Europian do të kërkojë hapjen e negociatave për Traktatin e anëtarësimit me Shqipërinë!? Në të njëjtën kohë në Shqipëri dhuna policore ndaj protestuesve dhe studentëve, arrogancës së pushtetit dhe shkarjes së Shqipërisë drejt një diktature të re, mbetet në heshtje.
Paradoksi më i madh për këtë Europë, që lufton kundër autokracive në botë, është që në Shqipëri po mbështet në heshtje Autokratin, përpara një populli që kërkon demokraci.
Edhe për sa kohë …
© SYRI.net