E shtunë, 21 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Alarmi: Diga e Liqenit të Farkës u dëmtua nga betonierët dhe kamionët gjatë ndërtimit të vilave
Lajme

Alarmi: Diga e Liqenit të Farkës u dëmtua nga betonierët dhe kamionët gjatë ndërtimit të vilave

Probleme serioze në sigurinë dhe mirëmbajtjen e digave në administrim të Bashkisë së Tiranës. Një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka evidentuar dëmtime në infrastrukturën e digës së Liqenit të Farkës, mungesë investimesh në vepra të tjera dhe një mangësi që ngre shqetësime për përballimin e situatave të jashtëzakonshme: 37 nga 38 digat e mëdha nuk kanë plane gatishmërie për emergjencat civile.

Gjatë inspektimit në terren, audituesit kanë konstatuar se njëri prej shkarkuesve fundorë të digës së Farkës është jashtë funksionit, ndërsa betoni në kurorën e saj ka pësuar dëmtime. Sipas gjetjeve, këto dëmtime lidhen kryesisht me qarkullimin e mjeteve të tonazhit të rëndë mbi strukturën e digës.

Problematika janë evidentuar edhe në fugat e perdes së betonit në skarpatën e sipërme. Shqetësimi shtohet nga zhvillimi intensiv i ndërtimeve në zonën përreth liqenit, ku vitet e fundit janë ngritur komplekse banimi dhe vila, duke shtuar lëvizjen e kamionëve dhe mjeteve të rënda.

Pavarësisht dëmtimeve të konstatuara, qarkullimi i këtyre mjeteve mbi kurorën e digës vijon, duke ngritur pikëpyetje mbi masat e marra për mbrojtjen e kësaj infrastrukture.

Diga e Farkës është ndërtuar në vitin 1984, ka një lartësi prej 32 metrash dhe një kurorë me gjatësi 310 metra. Fillimisht, rezervuari është ndërtuar për të siguruar ujitjen e tokave bujqësore.

Në shkurt të vitit 2024, Bashkia e Tiranës aplikoi pranë Fondit për Digat, në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, për financimin e projektit të rikonstruksionit të saj. Sipas dokumentacionit të administruar nga KLSH, bashkia ka përfituar financim, por auditimi ka evidentuar sërish problematika në gjendjen e veprës.

Shqetësimet nuk kufizohen vetëm te diga e Farkës.

Komiteti Kombëtar i Digave të Mëdha kishte identifikuar si prioritare për ndërhyrje urgjente edhe digat e Kasharit dhe Çekrezës, përmes një shkrese të datës 31 janar 2024.

Megjithatë, sipas KLSH-së, Bashkia e Tiranës nuk kishte aplikuar për financim pranë Fondit për Digat për këto dy vepra dhe nuk kishte parashikuar ndërhyrje rehabilituese me fondet e veta.

Konstatimi më shqetësues i auditimit lidhet me mungesën e planeve të emergjencave civile. Nga 38 diga të mëdha që administron Bashkia e Tiranës, vetëm diga e Farkës rezulton të ketë një Plan Gatishmërie për Emergjencat Civile.

Për 37 digat e tjera mungon ky dokument, i cili përcakton masat dhe procedurat që duhet të ndiqen në rast incidentesh apo situatash të jashtëzakonshme.

KLSH vlerëson se mungesa e planeve të gatishmërisë, e kombinuar me investimet e pamjaftueshme dhe problematikat në rehabilitimin e veprave, dobëson përgatitjen për përballimin e emergjencave dhe rrit ekspozimin ndaj pasojave të mundshme ekonomike, mjedisore dhe sociale.

Gjetjet e auditimit vendosin në vëmendje mënyrën se si administrohet siguria e digave në Tiranë, në një kohë kur disa prej tyre janë identifikuar si vepra që kërkojnë ndërhyrje urgjente.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.