Kush janë studentët që takuan Ramën në fshehtësi? Kryeministri nxjerr foton, protestuesit nuk i njohim si përfaqësuesit e tyre
Një fotografi e publikuar në orët e vona të mbrëmjes nga kryeministri Edi Rama ka hapur një sërë pikëpyetjesh mbi identitetin e të rinjve që janë ulur në një tryezë me të në Pallatin e Brigadave.
Në postimin e tij, kreu i qeverisë i ka përshkruar ata si studentë që mbështesin protestën, por kundërshtojnë përdorimin e dhunës. Megjithatë, përtej fotografisë dhe një përshkrimi të shkurtër, Rama nuk ka dhënë asnjë informacion konkret mbi personat që morën pjesë në takim.
“Dialog inkurajues me studentë që besojnë te protesta, jo te gurët dhe që ‘çuditërisht’ më gjetën dakord në jo pak nga shqetësimet e tyre”, shkruan Rama, duke e mbyllur mesazhin me shprehjen “To be continued”.
Por pikërisht identiteti i studentëve është ajo që mbetet e paqartë. Kryeministri nuk ka publikuar emrat e tyre, universitetet ku studiojnë apo ndonjë informacion që të dëshmojë nëse bëhet fjalë për aktivistë të përfshirë në protestat e fundit.
Deri më tani, asnjë organizatë studentore dhe as përfaqësuesit e njohur të protestës nuk kanë konfirmuar publikisht pjesëmarrjen në një takim të tillë me kreun e qeverisë.
Kjo situatë ngre pikëpyetje nëse bëhet fjalë për një përpjekje për dialog të drejtpërdrejtë me përfaqësuesit e lëvizjes studentore apo për një takim me të rinj të tjerë, të cilët nuk kanë një rol të konfirmuar në organizimin e protestave.
Edhe përmbajtja e bisedës mbetet e panjohur. Rama pretendon se ka gjetur dakordësi me studentët për disa prej shqetësimeve të tyre, por nuk ka bërë të ditur se cilat ishin kërkesat e paraqitura dhe nëse prej takimit ka dalë ndonjë zotim konkret nga ana e qeverisë.
Takimi në Pallatin e Brigadave vjen në një moment kur protestat studentore dhe përplasja me qëndrimet e qeverisë janë në qendër të debatit publik.
Për momentin, kryeministri ka publikuar fotografinë dhe versionin e tij për bisedën. Por emrat e pjesëmarrësve, lidhja e tyre me protestën dhe përfaqësimi që ata kanë mbetet ende pa u sqaruar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



