Vendosni fjalën kyçe....

Kurti i kërkon Zelenskit njohjen e Kosovës



Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, që Ukraina ta njohë pavarësinë e Kosovës, duke argumentuar se rasti i saj nuk mund të barazohet me aneksimin e Krimesë nga Rusia.

Në një opinion të publikuar në median ukrainase “Kyiv Post”, Kurti ka kritikuar qëndrimin e Kievit për mosnjohjen e Kosovës. Ai ka kujtuar se Zelensky e ka përsëritur këtë qëndrim edhe gjatë një deklarate në Beograd, në gusht të këtij viti.

Kreu i qeverisë së Kosovës ka renditur mbështetjen që Prishtina i ka dhënë Ukrainës që prej fillimit të agresionit rus. Sipas tij, Kosova ka dënuar sulmet e Moskës, është rreshtuar me sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, si dhe ka ofruar strehim për gazetarët ukrainas, ndihmë dhe trajnime ushtarake.

Kurti ka argumentuar se mosnjohja e Kosovës nga Ukraina krijon një kontrast me këtë mbështetje dhe se qëndrimi i Kievit duhet rishikuar.

Një pjesë të rëndësishme të opinionit, kryeministri ia ka kushtuar përdorimit të rastit të Kosovës nga presidenti rus Vladimir Putin për të justifikuar aneksimin e Krimesë. Sipas Kurtit, Kremlini përpiqet të paraqesë dy zhvillime me rrethana të ndryshme historike dhe juridike si të barasvlershme, për të mbështetur pretendimet e tij.

Duke shpjeguar dallimet, Kurti ka rikujtuar se pavarësia e Kosovës erdhi pas një historie shtypjeje të shqiptarëve, luftës, spastrimit etnik, ndërhyrjes së NATO-s dhe një procesi të gjatë negociatash ndërkombëtare. Ai i është referuar gjithashtu opinionit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2010, sipas të cilit shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Sipas tij, njohja e Kosovës nga Ukraina do të rrëzonte argumentin e Putinit se Perëndimi zbaton standarde të dyfishta për integritetin territorial dhe vetëvendosjen.

“Njohja do ta hidhte poshtë pretendimin e Putinit se Kosova është dëshmi se demokracitë perëndimore nuk respektojnë ligjin. Ajo do ta refuzonte përpjekjen e tij për t’i futur rastet e ndryshme në të njëjtin kallëp, për t’i shërbyer një argumenti të leverdishëm për të”, shkruan Kurti.

Kryeministri ka theksuar se ndryshimi i kufijve përmes forcës ushtarake nuk mund të barazohet me ushtrimin e së drejtës për vetëvendosje. Ai ka argumentuar se një referendum i zhvilluar në Krime nën praninë e forcave ushtarake të një shteti tjetër nuk mund të krahasohet me procesin që çoi drejt pavarësisë së Kosovës.

“Pushtimi nuk është vetëvendosje. Aneksimi nuk është pavarësi”, shkruan Kurti.

Në përfundim, ai ka vënë në dukje se njohja e Kosovës nga Ukraina do të kishte rëndësi edhe për shtetet e tjera që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj për shkak të mosmarrëveshjeve territoriale.