Erion Veliaj ka dërguar një tjetër mesazh nga qelia në burgun e Fierit, ndërsa socialistët e Tiranës sot do të takohen me kryetarin e tyre dhe njëkohësisht kryeministrin, Edi Rama. Mbledhja e PS Tiranë do të mbahet në orën 11:00, në ambientet e “Xibrakut". Pritet që zhvillimi i saj të jetë me dyer të mbyllura, por ende s’ka një njoftim zyrtar. Në fokus do të jenë zgjedhjet vendore, ndërsa takimi pason mbledhjen e djeshme me ministrat dhe drejtuesit politikë.
Kryetari i bashkisë, të cilit Rama i hoqi drejtimin politik të partisë në kryeqytet, shpreh pikëllim për “një parti ku drejtuesi u hakërrehet socialistëve” dhe vlen më shumë “besnikëria e verbër” sesa parimet.
Ai sjell ndërmend historinë e PS Tiranë dhe organizimin e saj nën drejtimin e tij. Veliaj shprehet se kanë luftuar për fitoret dhe s’ua kanë dhënë “as krimi, as bandat”, ndërsa ngre pyetjen nëse bëhet fjalë për të njëjtën parti.
I pari i Tiranës u kërkon socialistëve të reflektojnë dhe të shohin kë kanë përkrah tyre duke u bërë thirrje të mos pranojnë pushtetin e pamerituar.
Mesazhin, Veliaj e nënshkruan me “socialisti juaj me duar të lidhura”.
“Mesazh për Asamblenë e Tiranës
Të dashur miq dhe socialistë të Tiranës!
Prej vitit 2015 ndërtuam bashkë një organizatë që besonte te puna, progresi dhe qyteti. Fitoret tona nuk na i dhanë as bandat, as krimi dhe as të fortët. Ato i ndërtuam me djersën e socialistëve dhe qytetarinë e Tiranës.
Po a jemi ende ajo parti?
Hidhni një sy nga shoku në krah. A është ende socialisti me të cilin ndamë betejat dhe fitoret, apo vendin e tij e kanë zënë ministruca e drejtoruca, që pushtojnë territore me privilegje, në vend që të pushtojnë zemrat e qytetarëve?
Më pikëllon të shoh një parti ku drejtuesi u hakërrehet socialistëve që e ngritën në krye, ku mijëra vota e vite sakrificash fshihen me një klithmë të tij dhe ku besnikëria e verbër ndaj tij vlen më shumë se besnikëria ndaj parimeve.
Ne ndërtuam një parti zemrash, jo një hordhi privilegjesh!
Unë sot vërtet i kam duart e lidhura, por jo kujtesën, bindjet dhe përgjegjësinë për atë që ndërtuam bashkë.
Tirana është qyteti i rinisë, kulturës dhe optimizmit. Tirana është zemra jonë e madhe.
Ruajeni qytetarinë dhe djersën socialiste. Mos lejoni që historia jonë të zëvendësohet nga pushteti i pamerituar.
Me mall, respekt, përulje dhe mirënjohje,
Miku dhe shoku juaj,
Socialisti me duar të lidhura
Erion Veliaj”, shkruan ai.
Lajm në përditësim...
Kryeministri Edi Rama mbledh sot Asamblenë e Partisë Socialiste në Tiranë, me fokus përgatitjet për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027, ku beteja kryesore pritet të zhvillohet për Bashkinë e kryeqytetit.
Mbledhja do të mbahet në orën 11:00, në ambientet e “Xibrakut. Pritet që zhvillimi i saj të jetë me dyer të mbyllura, por ende s’ka një njoftim zyrtar.
Të premten, Rama mblodhi ministrat dhe drejtuesit politikë të qarqeve në një takim në godinën e Kryeministrisë.
Në fokus të takimit kanë qenë përgatitjet për zgjedhjet lokale të 9 majit 2027, ku janë diskutuar edhe hapur për organizimin elektoral të socialistëve. Prioritetet e PS-së mbeten intensifikimi i punës organizative për zgjedhjet lokale dhe forcimi i komunikimit me qytetarët.
Në fokus të diskutimit ka qenë edhe Prania Besnike. Gjatë takimit, Rama ka kërkuar mobilizimin e strukturave socialiste, duke theksuar rëndësinë e vijimit të takimeve me qytetarët. Kreu i qeverisë u ka kërkuar përfaqësuesve të PS-së që të mos e humbin vëmendjen nga komunikimi i drejtpërdrejtë me qytetarët dhe adresimi i shqetësimeve të tyre.
Të shtunën e kaluar, më 14 nëntor, kreu i PS mblodhi Asamblenë e Përgjithshme në Gjirin e Lalzit, ku socialistët diskutuan organizimin e strukturave të partisë dhe përgatitjet për fushatën zgjedhore, me vëmendje të veçantë te Tirana.
Gjatë asaj mbledhjeje, Rama shkarkoi Erion Veliajn nga PS-ja e Tiranës dhe kërkoi mobilizimin e strukturave socialiste për zgjedhjet vendore.
Ndërkohë, Ervin Demo dhe Albana Koçiu u caktuan në drejtimin organizativ të socialistëve të Tiranës.
Lajm në përditësim...










Komente
Komento