Nënkryetarja e Partisë Demokratike, dega Durrës, Edlira Jakova, denoncoi sot punimet që po kryhen në një nga rrugicat e zonës së ish-Kënetës, që njihet ndryshe edhe si Durrësi i Ri.
Prej dy ditësh, punonjësit e Ndërmarrjes Rruga kanë nisur punën në rrugicën “Shqiponja e Malit” për asfaltimin e saj. Por ndërhyrja në këtë aks dytësor konsiderohet selektive dhe pa standarde teknike nga dega lokale e PD-së.
Sipas nënkryetares Jakova, ndërsa ndërhyrja kryhet nga ndërmarrja në varësi të bashkisë, në zonë mungon tabela e punimeve, ku specifikohen vlera e investimit dhe shumë detaje të tjera teknike.
Të njëjtin shqetësim ngre edhe një banor, i cili, ndërsa kujton faktin se kjo zonë është përmbytur shpeshherë, kërkon që punimet për asfaltimin e rrugës të kenë transparencë dhe të shtrihen në të gjitha rrugicat që kanë nevojë për ndërhyrje.
© SYRI.net