Tronditet Meksika! Arrestohet “El Chapo Isidro”, shpërthejnë përplasjet e armatosura
Një operacion i ushtrisë meksikane për kapjen e një prej personave më të kërkuar nga FBI-ja amerikane është shoqëruar me përplasje të armatosura dhe kaos në shtetin e Sinaloas.
Në qendër të operacionit raportohet se është Fausto Isidro Meza Flores, i njohur si “El Chapo Isidro”, i dyshuar si drejtues i organizatës kriminale Meza-Flores, e njohur gjithashtu si “Los Mazatlecos”, me bazë në qytetin e Guasaves.
Lajmi për arrestimin e tij është raportuar nga disa media meksikane, ndërsa konfirmimi zyrtar nga autoritetet vendase mbetet ende në pritje.
Sipas FBI-së, Meza Flores dyshohet se ka qenë i përfshirë në trafikimin dhe shpërndarjen në Shtetet e Bashkuara të sasive të mëdha të heroinës, metamfetaminës, kokainës, fentanilit dhe marijuanës. Për informacione që do të çonin në arrestimin e tij, autoritetet amerikane kishin ofruar një shpërblim prej 5 milionë dollarësh.
Operacioni në Guasave u shoqërua me përleshje të dhunshme mes forcave ushtarake dhe personave të armatosur. Situata shkaktoi panik edhe në stadiumin Kuroda Park, ku në atë moment po zhvillohej një ndeshje bejsbolli mes Venados de Mazatlán dhe Algodoneros de Guasave.
Pamjet nga stadiumi tregojnë lojtarët që largohen me shpejtësi nga fusha, ndërsa tifozët braktisin tribunat për t’u larguar nga zona e rrezikut. Komentatorët njoftuan ndërprerjen e ndeshjes për shkak të një incidenti të sigurisë kombëtare.
Ndërkohë, pamje të verifikuara nga CNN tregojnë helikopterë të forcave meksikane të sigurisë duke fluturuar mbi qytet dhe duke qëlluar drejt tokës.
Autoritetet lokale konfirmuan se në Guasave kishte ndodhur një sulm ndaj personelit federal. Dëshmitë e banorëve flasin për biznese dhe pika karburanti të përfshira nga flakët, ndërsa persona të armatosur dyshohet se kanë marrë nën kontroll edhe spitale private.
Përballë situatës së tensionuar, qeveria e Sinaloas u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë në banesat e tyre dhe të shmangin lëvizjet në rrugë deri në përfundimin e operacionit dhe rikthimin e rendit.
Fausto Isidro Meza Flores ishte akuzuar më parë në Shtetet e Bashkuara për trafik droge, fillimisht në vitin 2012 dhe më pas në vitin 2019. Organizata që ai dyshohet se drejtonte ishte përfshirë në një konflikt të përgjakshëm territorial me Kartelin e Sinaloas, të drejtuar dikur nga Joaquín “El Chapo” Guzmán, i cili aktualisht vuan dënimin në një burg amerikan.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



