Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, prezantoi ndryshimet që parashikon projektligji “Për shërbimet e kujdesit social”.
Sipas ministres, nisma synon të përmirësojë cilësinë e shërbimeve sociale, të zgjerojë mundësitë e përfitimit të tyre dhe të rrisë mbështetjen për individët dhe familjet në nevojë. Një prej ndryshimeve kryesore është vendosja e qytetarit në qendër të sistemit, duke përshtatur shërbimet me nevojat e tij konkrete.
Gjatë diskutimeve me përfaqësuesit e grupeve të interesit, Spahiu bëri të ditur se kuadri i ri ligjor do të përfshijë mekanizma të posaçëm për identifikimin dhe trajtimin e nevojave të përfituesve. Konkretisht, parashikohet vlerësimi profesional i situatës, hartimi i planeve individuale të mbështetjes dhe menaxhimi i çdo rasti.
“Shërbimi duhet të përshtatet me qytetarin. Pra, jo qytetari të shkojë të gjejë shërbimin që i takon, por shërbimi duhet të përshtatet me qytetarin. Kjo është arsyeja pse ne kemi vendosur që në këtë ligj të përfshijmë fillimisht vlerësimin profesional të nevojave, planin individual të mbështetjes dhe menaxhimin e rastit”, u shpreh ministrja.
Një tjetër drejtim ku përqendrohen ndryshimet është zgjerimi i shërbimeve sociale në familje dhe komunitet. Projektligji synon që mbështetja të ofrohet sa më pranë vendbanimit të qytetarëve, duke i dhënë përparësi alternativave ndaj kujdesit institucional.
Në sistemin e ri parashikohet gjithashtu përfshirja e kujdesit afatgjatë, me vëmendje të veçantë për të moshuarit dhe personat që kanë nevojë për asistencë të vazhdueshme.
Projektligji parashikon edhe zgjerimin e përgjegjësive të pushtetit vendor. Bashkitë do të kenë një rol më të rëndësishëm në evidentimin e nevojave të komuniteteve, planifikimin e shërbimeve dhe garantimin e ofrimit të tyre në mënyrë të vazhdueshme në territorin që mbulojnë.
Për sa i përket financimit, nisma parashikon forcimin e Fondit Social Qendror dhe krijimin e Fondit Social Vendor. Përmes këtyre instrumenteve synohet që fondet të përdoren në funksion të nevojave konkrete të qytetarëve dhe komuniteteve.
Ndryshime parashikohen edhe në organizimin institucional të sektorit. Një prej tyre është krijimi i një Agjencie të specializuar për çështjet sociale, përmes transformimit të Shërbimit Social Shtetëror.
Krahas kësaj, projektligji synon të forcojë standardet e ofrimit të shërbimeve, si dhe mekanizmat e monitorimit, licencimit dhe inspektimit, me qëllim garantimin e cilësisë dhe funksionimit të sistemit.
Ministrja Spahiu bëri të ditur se pjesë e reformës do të jetë edhe rritja e kapaciteteve profesionale dhe institucionale, veçanërisht në nivel vendor. Një tjetër objektiv është përafrimi i legjislacionit shqiptar me standardet evropiane.
Gjatë mbledhjes, përfaqësuesit e grupeve të interesit paraqitën vlerësimet dhe propozimet e tyre lidhur me projektligjin, duke dhënë sugjerime për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe forcimin e mëtejshëm të sistemit të kujdesit social.


