Politologu amerikan Ian Bremmer, themelues dhe drejtues i kompanisë së analizave gjeopolitike Eurasia Group, ka komentuar zhvillimet e fundit në marrëdhëniet ndërkombëtare pas samitit të zhvilluar në Shenzhen, ku morën pjesë presidenti amerikan Donald Trump, presidenti kinez Xi Jinping dhe presidenti rus Vladimir Putin.

Në një intervistë për gazetën italiane “Corriere della Sera”, Bremmer u shpreh se Trump u largua nga takimi pa arritur rezultate konkrete, ndërsa Putin arriti të rikthehej në qendër të vëmendjes diplomatike ndërkombëtare dhe Xi Jinping shfaqi fuqinë dhe autoritetin e Kinës.

Sipas Bremmer, rezultatet e samitit duhen parë në një kontekst më të gjerë, pasi takimi u zhvillua pa praninë e Evropës dhe në një moment kur presidenti amerikan është dobësuar politikisht pas humbjes në zgjedhje.

“Donald Trump kthehet nga Shenzheni duarbosh, ndërsa Vladimir Putin ka marrë maksimumin, duke qenë sërish protagonist në skenën diplomatike botërore. Edhe Xi Jinping ka shfaqur fuqinë dhe autoritetin e Kinës. Por e gjithë kjo duhet parë në kontekst: ishte një samit pa Evropën dhe me një lider amerikan të dobësuar nga humbja zgjedhore, tashmë drejt fundit të karrierës politike dhe me probleme në rritje në planin konjitiv. Një realitet me të cilin liderët e botës po përshtaten gradualisht”, u shpreh Bremmer.

Marrëdhëniet SHBA-Kinë, përplasje strukturore pavarësisht afrimit personal të liderëve

I pyetur nëse samiti i konfirmoi pritshmëritë për mungesën e rezultateve konkrete, Bremmer tha se komunikata përfundimtare e përbashkët nuk e nxit Putinin të negociojë dhe krijon kushte për lehtësimin e sanksioneve ndaj Moskës.

Megjithatë, ai theksoi se duhet bërë dallimi mes qëndrimeve të Trump dhe politikës së përgjithshme amerikane.

“Sipas tij, Xi Jinping arriti të ruante një marrëdhënie miqësore me një Trump të gatshëm për të bërë lëshime. Por nëse mes tyre ekziston një miqësi personale, mes SHBA-së dhe Kinës ka një përplasje strukturore”.

Bremmer vlerësoi se dy liderët shmangën përplasjet e drejtpërdrejta në çështje të ndjeshme, veçanërisht në fushën e teknologjisë. Megjithatë, ai paralajmëroi se Kina do të përballet me pasoja në aspektin tregtar dhe ushtarak për shkak të kufizimeve më të rrepta që pritet të vendosen për transferimin e teknologjive strategjike të inteligjencës artificiale drejt Pekinit dhe vendeve të afërta me të.

Sipas tij, Trump nuk do të jetë më në gjendje t'i pengojë këto masa, një fakt që sipas Bremmer është i njohur edhe për autoritetet kineze.

Ukraina dhe roli i Evropës në negociatat me Rusinë

Sa i përket luftës në Ukrainë dhe qëndrimit të Evropës, politologu pranoi se Putin u largua nga samiti pa marrë asnjë kritikë, por theksoi se paralelisht, në takimin e koalicionit të vendeve mbështetëse të Ukrainës në Berlin, aleanca evropiane në mbrojtje të Kievit është forcuar.

Ai vuri në dukje edhe ndryshimin e tonit të të dërguarit amerikan, Jared Kushner, i cili sipas tij tashmë pranon se Evropa ka një rol të rëndësishëm në procesin e negociatave.

“Uashingtoni tashmë e pranon se Evropa i ka kartat në dorë: ajo po mbështet plotësisht përpjekjet për Ukrainën dhe do të jetë në tryezën e negociatave kur ato të nisin. Kushner siguron se edhe pala ruse ka gatishmëri për këtë”, tha Bremmer.

Ai shtoi se ekziston gjithashtu një hapje për garancitë e sigurisë së NATO-s për Ukrainën, edhe nëse Kievi nuk bëhet pjesë e Aleancës.

Sipas politologut, këto janë propozime për të cilat kishte folur edhe ish-presidenti amerikan Joe Biden dy vite më parë, por që deri vonë ishin injoruar nga Trump.

Megjithatë, Bremmer nuk pret ndryshime të menjëhershme, pasi Putin vijon të mbajë një qëndrim të ashpër. Pavarësisht kësaj, ai vlerësoi se në këtë drejtim ka nisur të lëvizë diçka.

Trump admiron diktatorët dhe u ka zili lirinë e tyre të veprimit

I pyetur për qëndrimin e Trump ndaj vlerave perëndimore dhe shtetit të së drejtës, Bremmer u shpreh se nuk duhet t'u jepet rëndësi e tepruar deklaratave dhe zhvillimeve të tilla, pasi sipas tij ato janë bërë të mundura nga një president amerikan që nuk kujdeset për shtetin e së drejtës dhe mbrojtjen e demokracisë.

“Është një president që admiron diktatorët dhe u ka zili lirinë e tyre të veprimit, pa kufizime dhe kontrolle. Por ai është i vetmi president në historinë amerikane që mban pozicione të tilla. Nuk besoj se do të kemi të tjerë. Me marrjen e detyrës nga Kongresi i ri, i drejtuar nga demokratët, ai është i destinuar të ketë gjithnjë e më pak peshë”, deklaroi Bremmer.

E ardhmja e administratës Trump, nën presion edhe për shkak të përplasjeve brenda qeverisë

Gjatë intervistës, Bremmer komentoi edhe zhvillimet brenda administratës amerikane, duke u ndalur te ish-drejtuesi i Nvidia-s, Jensen Huang, si dhe te sekretari i Tregtisë, Howard Lutnick.

Sipas tij, Trump është nën presion të fortë për çështjen e Lutnick dhe gjithashtu për sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, ndaj të cilit po lëviz procesi i shkarkimit përmes procedurës së impeachment-it.

Bremmer vlerësoi se Trump mund ta braktisë Lutnick-un, pasi nuk do të kishte problem të sakrifikonte edhe një mik të tij nëse kjo do t'i shërbente interesave politike.

Megjithatë, ai theksoi se Lutnick ka mbrojtur edhe interesat e Trump dhe familjes së tij. Sekretari i Tregtisë është përballur me kritika për gabimet e tij dhe për përdorimin e pretenduar të kompetencave ministrore në favor të kompanisë Cantor Fitzgerald, e cila tashmë drejtohet nga fëmijët e tij.

Sipas Bremmer, nëse Trump synon të shfrytëzojë kohën e mbetur në Shtëpinë e Bardhë për të përfituar nga pozicioni i tij presidencial, një skenar që ai e konsideron të mundshëm, mund të vendosë ta mbrojë Lutnick-un.

Në këtë rast, mund të jenë ministra të tjerë ata që do të largohen nga administrata. Bremmer përmendi si mundësi edhe sekretarin e Thesarit, Scott Bessent, i cili mund të vendosë të largohet, si dhe zyrtarë të tjerë.

Ai kujtoi gjithashtu se në mbrëmjen e humbjes zgjedhore, Trump kishte shprehur zemërimin ndaj shefes së kabinetit, Susie Wiles, dhe Marco Rubio-s, duke paralajmëruar shkarkimin e tyre. Megjithatë, të nesërmen, pasi ishte qetësuar, vendosi të largonte vetëm shefen e kabinetit.

Sipas Bremmer, dobësimi politik i Trump po reflektohet gjithnjë e më shumë edhe në marrëdhëniet e tij me anëtarët e administratës dhe në peshën që ai pritet të ketë në zhvillimet e ardhshme politike./Corriere Della Sera