“Ka shumë që i thonë vetëm ‘po’”, Melania Trump kritikon njerëzit që rrethojnë presidentin amerikan: Unë i them të vërtetën
Një rrjet i gjerë lidhjesh mes biznesmenes Alice Huang, familjarëve të saj, kompanive që kanë siguruar procesorë të avancuar të Nvidia-s dhe industrisë ushtarake kineze është zbuluar nga një investigim i gazetës amerikane “The New York Times”.
Sipas dokumenteve të kompanive dhe një analize konfidenciale të realizuar nga firma e pavarur kërkimore “Strider Technologies”, lidhjet e Alice Huang dhe bashkëpunëtorëve të saj shtrihen deri te kontraktorë shtetërorë kinezë të mbrojtjes, të cilët furnizojnë Ushtrinë Çlirimtare Popullore të Kinës.
Gjetjet tregojnë se rreth 3.6 miliardë dollarë fonde nga qeveria kineze kanë kaluar përmes kompanive të lidhura me familjen ose bashkëpunëtorët e Huang. Këto para kanë financuar projekte teknologjike, përfshirë qendra të të dhënave që kanë marrë procesorë Nvidia.
“The New York Times” ka shqyrtuar analizën e “Strider Technologies” dhe ka konfirmuar në mënyrë të pavarur një pjesë të konsiderueshme të lidhjeve mes kompanive.
Çështja ngre shqetësime në Uashington për mundësinë që teknologjia amerikane të jetë përdorur për të mbështetur kapacitetet ushtarake të Kinës, në një kohë kur SHBA-ja ka vendosur kufizime të rrepta për eksportin e çipave të avancuar drejt Pekinit.
Sipas raportimit të NYT, autoritetet amerikane besojnë se Alice Huang, shtetase kineze e njohur edhe me emrin Huang Le, mund të ketë qenë një aset i inteligjencës kineze dhe se i ka përcjellë informacione Ministrisë së Sigurisë Shtetërore.
Analiza e “Strider Technologies” dhe dokumentet e shqyrtuara nga gazeta amerikane tregojnë se ajo, motra e saj Huang Yu dhe investitori Kang Wei, partner biznesi i Alice Huang, kanë qenë të lidhur me një rrjet kompanish që ndërthur partnerë zyrtarë të Nvidia-s me projekte të lidhura me shtetin dhe ushtrinë kineze.
Në këtë rrjet përfshihen kompani që bashkëzotërojnë një sipërmarrje të sigurisë kibernetike me një degë të konglomeratit kryesor kinez të elektronikës ushtarake. Gjithashtu, përmenden serverë të pajisur me procesorë Nvidia, të financuar përmes një filiali të prodhuesit më të madh kinez të avionëve ushtarakë.
Një tjetër kompani në këtë rrjet ka të njëjtën shoqëri mëmë me një prodhues komponentësh për radarë dhe raketa. Gazeta thekson se natyra e këtyre marrëdhënieve mbetet ende e paqartë, veçanërisht nëse procesorët Nvidia kanë përfunduar duke u përdorur drejtpërdrejt në projekte ushtarake kineze.
Megjithatë, hetimi nxjerr në pah ndërthurjen e industrisë teknologjike kineze me atë ushtarake dhe përpjekjet e Pekinit për të përdorur inteligjencën artificiale në forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes.
“Pekini ka shpenzuar vite duke ndërtuar këto rrjete që shtrihen thellë në ekonomitë perëndimore”, tha Greg Levesque, drejtuesi ekzekutiv i “Strider Technologies”.
“Ndiqni paratë dhe, shumë shpesh, në fund të tyre gjeni Ushtrinë Çlirimtare Popullore”, shtoi ai.
Levesque deklaroi gjithashtu se Kina po shfrytëzon më shumë se kurrë teknologjinë, kapitalin dhe ekspertizën perëndimore për të ndërtuar bazën e saj industriale të mbrojtjes.
Dy kompanitë që kanë partneritete me Nvidia-n dhe që lidhen me Alice Huang janë Megaspeed dhe Century Litong.
Huang drejtonte Megaspeed, një kompani me seli në Singapor, e cila është nën hetim nga Departamenti amerikan i Drejtësisë për dyshimet se ka kontrabanduar çipa të avancuar drejt Kinës.
Kompania ka deklaruar se Alice Huang nuk punon më aty. Përfshirja e saj në Megaspeed përkoi me një periudhë kur kompania po siguronte sasi të mëdha procesorësh Nvidia.
Ndërkohë, familjarët e saj kanë pasur role të rëndësishme dhe investime të konsiderueshme në kompaninë që themeloi Century Litong, me seli në Shangai, e cila jep me qira kapacitete kompjuterike për kompani të mëdha kineze dhe kontraktorë ushtarakë.
Sipas analizës së Strider, nga fundi i vitit të kaluar deri në fillim të këtij viti, Century Litong duket se ka qenë një nga burimet e pakta që mund të furnizonte Kinën me procesorë Nvidia në shkallën e nevojshme për zhvillimin e inteligjencës artificiale.
Hetuesit po përpiqen të përcaktojnë se sa prej këtyre procesorëve ishin të ndaluar nga kufizimet amerikane të eksportit dhe, në thelb, mund të jenë futur kontrabandë në Kinë.
“Esencialisht, këto subjekte i anashkaluan kontrollet për të vazhduar të përmbushnin kërkesat për çipa të klientëve që kishin tashmë, përfshirë edhe në qendrat e reja të të dhënave”, deklaroi Levesque.
Të enjten, Komisioni për Punët e Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA ndërmori një hap të pazakontë, duke publikuar informacione konfidenciale mbi aplikimet e Nvidia-s për të marrë licenca që do t’i lejonin shitjen e procesorëve H200 te kompanitë kineze.
Lista tregonte se Nvidia kishte kërkuar leje për të shitur më shumë se 40 mijë procesorë H200 te filiali në Hong Kong i Century Litong.
Një zëdhënës i Nvidia-s deklaroi se, pavarësisht marrjes së disa licencave, kompania i kishte ndaluar tashmë dërgesat e procesorëve H200 drejt Kinës dhe se nuk kishte furnizuar dhe nuk do të furnizonte këtë kompani. Century Litong ka mohuar të ketë marrëdhënie biznesi me Alice Huang.
Hetimi i NYT zbulon se rrjeti i kompanive të lidhura me familjen Huang shtrihet edhe te gjiganti kinez i telekomunikacionit Huawei dhe te kompani të tjera me lidhje ushtarake.
Në vitin 2023, Century Litong u themelua nga Century Longteng, një operator i qendrave të të dhënave, ku 27 për qind e aksioneve zotëroheshin nga një kompani investimi e kontrolluar nga motra e Alice Huang.
Kang Wei, partneri i biznesit të Alice Huang, ishte drejtor ekzekutiv i Century Longteng që prej shkurtit 2022, sipas të dhënave të Strider. Në të njëjtin vit, kompania Jiangsu Lettall Electronic bleu 90 për qind të Century Litong dhe deri në vitin 2024 zotëronte të gjithë kompaninë.
Lettall zotëron gjithashtu 80 për qind të Nanjing Jinning Microwave, një prodhues komponentësh që, sipas vetë kompanisë, përdoren në sistemet kineze të radarëve dhe raketave.
Sipas Strider, komponentët e Jinning përfundojnë në raketat e serisë DF të Ushtrisë Çlirimtare Popullore, përfshirë raketat balistike ndërkontinentale dhe ato kundër aeroplanmbajtëseve, si dhe në avionin luftarak të padukshëm J-20.
Një tjetër lidhje e rëndësishme është ajo me Huawei. Qendra e të dhënave në Shenzhen ishte ndërtuar për njësinë cloud të gjigantit kinez të telekomunikacionit, i cili prej vitesh është nën sanksionet amerikane për shqetësime të sigurisë kombëtare.
Projekti iu dha në vitin 2022 një kompanie të kontrolluar nga Century Longteng, sipas dokumenteve të korporatës. Klientë të Century Litong kanë qenë edhe njësi të China Electronics Technology Group (CETC), një prodhues shtetëror i elektronikës ushtarake, i përfshirë nga SHBA-ja në listën e kompanive që bashkëpunojnë me ushtrinë kineze.
Hetimi përmend gjithashtu Hangjin Technology, një kompani e listuar në bursë, filialet e së cilës prodhojnë çipa për ushtrinë kineze. Deri në dhjetorin e kaluar, Hangjin kontrollonte Chaoqing, një partner të Nvidia-s, në faqen e të cilit më parë ishte listuar si partner edhe fondi High-Flyer, që qëndron pas kompanisë kineze të inteligjencës artificiale DeepSeek.
Në të njëjtën listë përfshiheshin edhe Zhejiang Lab, me lidhje ushtarake, dhe bashkëthemeluesi i tij Alibaba.
DeepSeek ka tërhequr vëmendjen për modelet e avancuara të inteligjencës artificiale, por ligjvënësit amerikanë e kanë akuzuar gjithashtu se paraqet rreziqe për sigurinë kombëtare. Qeveria federale amerikane ka ndaluar punonjësit e saj të përdorin këtë platformë.
Autoritetet amerikane po përpiqen të zbardhin më tej rolin e Alice Huang dhe përpjekjet e saj për të furnizuar qendrat e të dhënave me procesorë të avancuar. Lidhjet e saj me Ushtrinë Çlirimtare Popullore dhe kompanitë që kontrollohen prej saj janë ndër pikat kryesore të hetimit.
Megjithatë, NYT thekson se deri më tani nuk ka prova që vërtetojnë nëse ushtria kineze ka përdorur kapacitetet kompjuterike të qendrave të të dhënave të ndërtuara nga kompanitë e lidhura me familjen Huang.
Nvidia nuk pranoi të komentojë për hetimin, ndërsa Megaspeed nuk iu përgjigj kërkesës së gazetës për një deklaratë. Alice Huang nuk u arrit të kontaktohej. As kompania Lettall nuk iu përgjigj kërkesës për koment.
Ndërsa, i pyetur për rrjetin e kompanive të Alice Huang dhe përpjekjet e tyre për të siguruar procesorë, një zëdhënës i Ambasadës kineze në Uashington, Liu Chang, tha se nuk ishte në dijeni të situatës.
“Ne e kemi bërë të qartë më shumë se një herë qëndrimin tonë parimor për eksportet amerikane të çipave drejt Kinës”, deklaroi ai.
Top Channel