Tre anëtarë të një grupi të krimit të organizuar shqiptar janë dënuar me burg në Mbretërinë e Bashkuar.

Në pranga kanë rënë dy djem, 18 dhe 21 vjeç dhe një vajzë, 26 vjeçe.

Daniela Sopiku, ish-banore e Newport Street, në zonën Old Town, është dënuar me 9 muaj burg nga Gjykata Mbretërore e Swindon-it, për falsifikim dokumentesh.

Hysen Sopiku, 21 vjeç, u dënua me 3 vjet burg për shitje kokaine, pasuri të përfituar nga krimi, drejtim automjeti në mënyrë të parregullt dhe përdorimin e tij për mashtrim.

Alvaro Vrapi, 18 vjeç, u dënua me 28 muaj burg për falsifikim dokumentesh dhe shitje kokaine.

Oficerët e policisë kanë zhvilluar për një periudhë të gjatë kohore një operacion hetimor ndaj veprimtarisë kriminale të tre personave, duke përdorur metoda të fshehta hetimore. Hetimet zbuluan përfshirjen e tyre në shpërndarjen e kokainës në qytetet dhe zonat e Ëiltshire gjatë viteve 2025 dhe 2026.

Në muajin qershor, policia arrestoi Hysen Sopikun dhe Alvaro Vrapin pasi ata u gjetën brenda një automjeti Nissan Qashqai, duke shitur drogë. Sasi droge, me një vlerë totale prej më shumë se 11,000 paundësh, u gjetën gjithashtu në disa vende që ata kishin vizituar gjatë asaj dite, në Biddestone dhe Giddeahall, pranë Chippenham.

Më vonë, po atë ditë, Daniela Sopiku u arrestua në zonën Old Town. Gjatë kontrolleve të mëvonshme, policia zbuloi pajisje dhe materiale që përdoreshin për aktivitetin e drogës, shuma të mëdha parash dhe mallra luksoze të markave të njohura, si dhe dokumente identifikimi të falsifikuara, përfshirë një pasaportë italiane false në emër të Danielës. Autoritetet e emigracionit konfirmuan se dokumenti ishte i falsifikuar.

Gjithashtu, u konstatua se Vrapi kishte përdorur dokumente të falsifikuara për të hapur llogari bankare, të cilat përdoreshin për veprimtari kriminale.

Hetimet e mëtejshme financiare zbuluan se tre personat kishin përfituar të ardhura të pajustifikuara në një shumë totale prej më shumë se 53,000 paundësh. Të tre shqiptarët janë klandestinë në Britani dhe nuk kishin asnjë burim të ligjshëm të ardhurash.