Kryeministri Edi Rama ka sulmuar Gjykatën Kushtetuese gjatë mbledhjes së Asamblesë së PS-së në Tiranë, duke e cilësuar absurd vendimin për të mbajtur Erion Veliajn në detyrën e kryebashkiakut, pavarësisht burgimit të tij.
Sipas Ramës, ky vendim e la kryeqytetin për dy vite ‘me kokë të prerë’.
“Realizimi për Tiranën duhet të jetë gjithëpërfshirës, partiak, qytetar, në kuptimin e aktivizimit të çdo shtrese dhe grupi interesi, komunitar në lidhjen proaktive me çdo bashkësi. Do të duhet t’i kthejmë deficitet për Tiranën: humbja e drejtpeshimit të drejtësisë, burgimi dyvjeçar i kryebashkiakut dhe vendimi absurd i Gjykatës Kushtetuese për ta lënë atë në detyrë, edhe pse në mungesë. Ky absurditet antidemokratik, i prodhuar nga një çekuilibrim i drejtësisë, që e la Tiranën dy vite me kokë të prerë, është i pashoqe, por nuk ishte në dorën tonë ta ndalonim apo ta zhbënim, pavarësisht se haraçin e kripur e paguajnë qytetarët e Tiranës,” tha Rama.













