
Situata në territorin e Qarkut Shkodër paraqitet e qetë dhe e qëndrueshme. Gjatë natës kanë vijuar reshjet e shiut, ndërsa në zonat malore janë regjistruar edhe reshje dëbore.
Nga informacionet e raportuara nga strukturat përgjegjëse të Mbrojtjes Civile pranë të gjitha bashkive të qarkut, Shkodër, Vau i Dejës, Malësi e Madhe, Pukë dhe Fushë-Arrëz, deri në këto momente nuk raportohen problematika të lidhura me emergjencat civile.
Gjithashtu, sipas informacionit të përcjellë nga Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Lezhë, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar rreth 20 mm reshje shiu. Nivelet e ujërave vijojnë të jenë nën kuotat e rrezikut, ndërsa reshjet paraqiten me intensitet të ulët.
Prefektura e Qarkut Shkodër dhe strukturat përgjegjëse vijojnë monitorimin e situatës në të gjithë territorin e qarkut dhe mbeten në gatishmëri për përballimin e çdo situate të mundshme emergjente.




