
Në ditën e 28 Nëntorit 2026, është paralajmëruar në rrjetet sociale një protestë e madhe në Tiranë. Protesta nuk ka organizator të përcaktuar por është në vazhdën e atyre që kanë nisur nga dita e fundit e majit e në vijim para Kryeministrisë. 114- vjetori i kremtimit të Pavarësisë, ka nisur të proklamohet edhe si protesta më e madhe e organizuar ndonjëherë nga shqiptarët, madje edhe në standardin e “Nëntorit të tretë” të shqiptarëve.
Realisht, për mirë apo për keq, datat tona më të rëndësishme kombëtare, janë përmbledhur brenda këtij muaji, veçanërisht 22 Nëntori i “Ditës së Alfabetit” dhe 28 Nëntori i Pavarësisë dhe i arritjes së Gjergj Kastriotit në Krujë, duke i dhënë jetë një epopeje çerekshekullore unikale edhe në botë kundër pushtimit Osman.
Në fakt, ka edhe një “Nëntor të tretë”, pas atij të Gjergj Kastriotit dhe Ismail Qemalit. Është pikërisht 28 Nëntor 1944, data zyrtare e Çlirimit të Shqipërisë nga pushtimi në Luftën e Dytë Botërore. Rastësia solli që jo vetëm në muajin nëntor por edhe në të njëjtën datë, 28, të unifikoheshin tre momente të rëndësishme, në epoka të ndryshme të ekzistencës sonë si komb. Dilema “Shqipëria u çlirua me 28 apo 29 nëntor 1944”, ka vazhduar përgjatë këtyre 36 viteve të fundit dhe paradoksalisht, Festa e Çlirimit festohet me 29 nëntor. Nga jo pak individë dhe grupime, çlirimi nga pushtuesi në Luftën e Dytë Botërore, konsiderohet si nisja e “pushtimit” nga diktatura komuniste 45- vjeçare në vend.
Ky Nëntor, nëse do të jetë në përmasat që po paralajmërohet në rrjet dhe nëse do të ketë ndikimin që po përflitet në fatet e Shqipërisë, i bie të jetë “Nëntori i katërt” i vendit të “shqiponjave”. Në dukje është një detaj i vogël, i parëndësishëm. Realisht, është fshirje e kujtesës sonë kolektive, pavarësisht se “Nëntori i tretë” i 1944- it, nuk ka askund shkëlqimin e 2 Nëntorëve paraardhës. Megjithëatë, edhe pse tragjik, as ku Nëntor nuk mund të fshihet nga historia e këtij kombi. Mesazhi? Është i qartë: Nuk ka dhe nuk mund të ketë anjëherë vit zero, nuk mund të fshihet apo tjetërsohet historia e një kombit, pavarësisht edhe etapeve të tij tragjike. Ata që nuk e njohin, tashmë mund të gjejnë online çdo informacion, provë ose fakt. /Sokol N. SOKOLI/




