Lara Colturi vijon me paraqitjet e saj të shkëlqyera në këtë fillim sezoni në Kupën e Botës në Skitë Alpine.
Skiatorja 20 vjeçare u rendit në vendin e dytë në zbritjen e parë në kategorinë e slalomit në ndalesën e radhës në Gurgl të Austrisë duke e përshkuar pistën me kohën 51 sekonda e 94 të qintat, më mirë se ajo bëri vetëm suedezja Anna Swenn Larsson.
Dhe këtë kohë kaq të mirë, skiatorja kuqezi e shënoi në kushte të vështira meteorologjike ku vizibiliteti i pistës ishte shumë i vështirë.
Në këtë zbritje të parë në pistën austriake, Colturi la pas emra si Paula Moltzan, Emma Aicher apo Camille Rast. Në 13:30 do të jetë zbritja e dytë e disiplinës së slalomit ku emocionet do të jenë të mëdha, emocione që do të përcillen edhe nga platforma Digitalb.