“Nuk kemi ndërtuar ende shumë kulla në Tiranë”, Rama: Sjellin të ardhura për bashkinë, qytetarët kërkojnë cilësi jete

Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur ndërtimin e kullave në Tiranë, duke kundërshtuar propagandën se e keqja po vjen prej tyre. Gjatë fjalës në Asamblenë e Partisë Socialiste, Rama argumentoi se ndërtimet kontribuojnë në buxhetin e Bashkisë së Tiranës, përmes taksave dhe detyrimeve për strehimin social.
Sipas kryeministrit, çdo ndërtim kontribuon me 3% për strehimin social dhe 8% taksë për qytetin. Ai theksoi se heqja e këtyre të ardhurave do të ndikonte në aftësinë e bashkisë për të përballuar nevojat e kryeqytetit.
Rama: Kam një pikë që dua ta ndaj me të gjithë ata që konfuzohen apo bien pre e propagandës skandaloze që e keqja po vjen nga kullat. Ne nuk kemi ndërtuar ende në Tiranë aq shumë kulla sa të fillojmë të mendojmë për ndonjë pasojë.
Nga ato pak kulla në Tiranë, të ardhurat në buxhetin e bashkisë janë domethënëse dhe të gjithë, kur shohin një kullë apo kur shohin një pallat të ri që ndërtohet, duhet ta dinë se aty janë 3% për strehimin social, kontribut i kujtdo që ndërton një kullë apo një pallat. Janë edhe 8% taksë për qytetin.
Nëse buxhetit të Bashkisë së Tiranës i heq taksat dhe kontributet për strehimin social nga ndërtimi, buxheti bëhet një buxhet që nuk përballon dot shumë nga nevojat që ka qyteti.
Në një tjetër pjesë të fjalës, Rama u ndal te zhvillimi i Tiranës dhe ndryshimi i pritshmërive të qytetarëve. Ai deklaroi se kryeqyteti është transformuar nga një vend mbijetese në një qytet ku kërkohet cilësi më e mirë jete, por pranoi se qytetarët sot nuk mjaftohen më me arritjet e së kaluarës.
Sipas Ramës, sfida e socialistëve është të ecin me të njëjtën shpejtësi me pritshmëritë e qytetarëve, të cilët përballen çdo ditë me problematika që lidhen me transportin publik, rrugët, çerdhet dhe hapësirat e përbashkëta.
Kreu i qeverisë foli gjithashtu për integrimin europian, duke deklaruar se Shqipëria ka kaluar nga koha kur kërkonte të dëgjohej në tryezat ndërkombëtare, në fazën e negociimit të kushteve për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Ai e lidhi këtë proces me drejtimin politik të Partisë Socialiste.
Rama: Tjetra që është e rëndësishme të mos e harrojmë është pse kalon nga kjo parti rruga e vetme e fuqizimit diplomatik të Shqipërisë.
Sepse dikur Shqipëria, dhe jo para 100 vjetësh, por edhe në vitet e para kur unë e përfaqësoja së bashku me ministrat e tjerë, ishte një vend që lutej për t’u dëgjuar dhe që ndahej nga tryezat me ndjesinë e një shpërfilljeje ofenduese.
Dikur Shqipëria ishte e detyruar të shpjegonte pse ishte akoma aq larg Evropës. Dikur Shqipëria ulej formalisht nëpër tryeza, por zërin e saj e dëgjonin si zërin e një mize në qyp.
Sot Shqipëria negocion kushtet për t’iu bërë pjesë e BE-së. Nga kjo parti kalon rruga e Tiranës 2030, në Shqipërinë 2030 në BE.
E dinë të gjithë, edhe ata që bëjnë sikur s’e dinë, por ne duhet t’ia tregojmë se nga çfarë humnerë ne e nxorëm Tiranën në një epokë të gjatë mungesash të kudondodhura për çdo gjë.
Pikërisht pse kemi bërë kaq shumë, ne duhet të jemi shumë më pak tolerantë ndaj gjithçkaje që nuk e bëjmë mirë apo që vazhdon të mungojë.
Sot Tirana krahasohet me qytete të Evropës dhe kjo është fitorja jonë më e madhe. Jemi ne që ua kemi ndryshuar njerëzve horizontin e pritshmërive, jemi ne që duhet të vrapojmë me shpejtësinë e pritshmërive të tyre.
Sot qytetari i Tiranës nuk jeton dot më me fotografitë e arritjeve tona, por jeton me rrugën, me autobusin, me çerdhen që e ka larg apo nuk e ka fare, me trotuarin ku ecën dhe që jo gjithmonë e ka të lirë, me pallatin ku banon, por shpesh nuk ka hapësirë, dhe kështu me radhë.
Ne Tiranën e transformuam nga vendi i mbijetesës në vendin ku kërkohet cilësi më e mirë jete.




