Vëllai i Paolo Borsellino-s shpërthen ndaj prokurorëve pas vdekjes së De Gennaro-s: Përgjegjës për nxitje në vetëvrasje

Vëllai i Paolo Borsellino-s shpërthen ndaj prokurorëve pas vdekjes së De Gennaro-s: Përgjegjës për nxitje në vetëvrasje

11:43, 21/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Salvatore Borsellino, vëllai i gjyqtarit të njohur antimafia Paolo Borsellino, ka reaguar me tone të ashpra pas vdekjes së ish-kreut të Policisë së Shtetit në Itali, Gianni De Gennaro, duke drejtuar akuza të forta ndaj Prokurorisë së Caltanissetta-s.

"Prokurorët janë përgjegjës për nxitje në vetëvrasje", deklaroi Salvatore Borsellino, themelues i lëvizjes "Axhendat e Kuqe", duke komentuar ngjarjen e rëndë të mëngjesit të së shtunës. Ai kritikoi mënyrën se si ishte zhvilluar hetimi ndaj De Gennaro-s, duke e cilësuar atë të pabazuar dhe jashtë kompetencave të prokurorisë.

Gianni De Gennaro, 78 vjeç, ish-kreu i Policisë italiane dhe ish-president i kompanisë Leonardo, u gjet i pajetë në banesën e tij të pushimit në Toskanë. Sipas raportimeve, dyshohet se i ka dhënë fund jetës me armë zjarri.

Akuzat që rëndonin mbi ish-kreun e Policisë

De Gennaro ishte vënë nën hetim nga Prokuroria e Caltanissetta-s për dyshime mbi devijimin e hetimeve dhe pengimin e drejtësisë (depistaggio), në kuadër të dosjes për masakrën e Via D'Amelio të vitit 1992, ku u vra gjyqtari antimafia Paolo Borsellino dhe pesë anëtarë të eskortës së tij.

Hetimet përfshinin disa pista dyshimi ndaj tij dhe ish-bashkëpunëtorëve të tij.

Njëra prej tyre lidhej me dyshimet se De Gennaro kishte ndërhyrë për të penguar ish-bashkëpunëtorin e drejtësisë dhe të penduarin e Cosa Nostra-s, Salvatore Contorno, që të jepte dëshmi të plota përpara organeve gjyqësore.

Një tjetër pistë kishte të bënte me dyshime për fshehjen apo asgjësimin e dokumenteve, përfshirë materiale shkresore dhe kompjuterike, që mund të ndihmonin në zbardhjen e masakrës dhe të misterit të zhdukjes së "axhendës së kuqe" të Paolo Borsellino-s.

Përplasja mes prokurorisë dhe gjykatës

Pak ditë përpara vdekjes së De Gennaro-s, Prokuroria e Caltanissetta-s kishte kërkuar caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj tij.

Megjithatë, gjyqtari i hetimeve paraprake (GIP) e kishte rrëzuar kërkesën, duke vlerësuar se nuk kishte prova të mjaftueshme për ta lidhur drejtpërdrejt ish-kreun e Policisë me devijimin e hetimeve për masakrën e Via D'Amelio./A.Kepi

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco