Avokati Idajet Beqiri tha për ‘Ora e Fundit’ se Berisha po përdor protestat për të nxitur destabilitetin në Shqipëri dhe për të penguar procesin e integrimit europian.
Sipas tij, pas kësaj strategjie qëndrojnë interesa antishqiptare dhe ndikime serbo-ruse e greke, ndërsa opozita po shndërrohet në një faktor krizash në vend që të jetë konstruktive.
Beqiri thekson se protesta e 28 nëntor nuk ka në fokus interesat e studentëve dhe qytetarëve, por synon të dëmtojë imazhin e Shqipërisë dhe të vonojë rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Europian.
“Shqiptarët tashmë e kanë kuptuar se pas këtyre të ashtuquajturave protesta qëndron një skenar për destabilizimin e Shqipërisë dhe mbajtjen e saj në një gjendje të vazhdueshme krizash. Sali Berisha, sipas meje, po ndjek interesa antishqiptare, në funksion të ndikimeve të huaja, posaçërisht serbo-ruse, por edhe të një pjese të politikës antishqiptare greke, me synimin për të penguar integrimin europian të Shqipërisë.
Në një moment kaq të rëndësishëm për vendin, kur Shqipëria është pranë një etape të re drejt BE-së, ai shton dhunën dhe destabilitetin për të krijuar zëra kundër Shqipërisë në institucionet europiane. Edhe protesta e datës 28, sipas meje, nuk ka në fokus interesat e studentëve apo qytetarëve, por përmbushjen e këtij skenari. Shqipëria meriton të jetë një vend i qëndrueshëm, me një opozitë konstruktive dhe me një të ardhme europiane, ashtu siç e ëndërruan dhe për të cilën sakrifikuan rilindësit tanë.”










