Kryeministri Edi Rama ka konfirmuar përjashtimin e Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës nga strukturat drejtuese të PS. Gjatë fjalës së tij në Asamblenë socialiste për Tiranën, Rama iu referua dy figurave si “të përjashtuarit e ditëve të fundit nga kjo shtëpi”.
“Si mund të largohet nga puna arbitrarisht një grua që e ka mbajtur me dinjitet uniformën e kryepolicit bashkiak, dhe të tjerë drejtues e punonjës të bashkisë së Tiranës pse nuk u bëjnë like dhe share dorëshkrimeve të Lalit, nga burgu imagjinar politik apo pse nuk gëzojnë mbështetjen e avokatit të tij. Ky i fundit i adresohet shkresërisht Bashkisë së Tiranës, duke firmosur si drejtues politik, ndërkohë që është thjesht një nga 2 të përjashtuarit e ditëve të fundit nga kjo shtëpi. Nuk do të tolerohet më askush që flet dhe sillet me detyrat ndaj popullit dhe kësaj familje si e ëma e Zeqos në majë të thanës”, u shpreh Rama nga takimi me socialistët e Tiranës.
Të shtunën e kaluar kryeministri propozoi largimin e Spiropalit dhe Ndrecës, por Asambleja nuk votoi për përjashtimin e tyre, ndërsa gjatë mbledhjes në Gjirin e Lalzit pati edhe replika mes kryeministrit e ish-kryetares së Kuvendit. Në mbështetje të Spiropalit dolën vetëm Erion Braçe, Fatmir Xhafaj dhe Pandeli Majko, të cilët kundërshtuan përjashtimin e saj nga forumet drejtuese socialiste.






