Ndërsa kullat dhe gradaçelat vijojnë të mbijnë njëra pas tjetrës në Tiranë, kryeministri Edi Rama duket se nuk sheh ende arsye për shqetësim nga ky ‘bum’ ndërtimesh.
Përkundrazi, sipas tij, kryeqyteti nuk ka ndërtuar ende mjaftueshëm kulla për të nisur të diskutojë mbi pasojat që mund të sjellë ky model ndërtimi.
Gjatë fjalës së tij, në Asamblenë e PS-sëm Rama u ndal te kritikat ndaj ndërtimeve të larta, duke i cilësuar si propagandë pretendimet për pasojat e kullave. Sipas tij, ndërtimet sjellin të ardhura të konsiderueshme dhe kontribuojnë në fondin e strehimit social, pavarësisht se asnjë qytetar i thjeshtë nuk e ka mundësinë të strehohet aty.
“Kam një pikë që dua ta ndaj me të gjithë ata që konfuzohen apo bien pre e propagandës skandaloze që e keqja po vjen nga kullat. Ne nuk kemi ndërtuar ende në Tiranë aq shumë kulla sa të fillojmë të mendojmë për ndonjë pasojë.
Nga ato pak kulla në Tiranë, të ardhurat në buxhetin e bashkisë janë domethënëse dhe të gjithë, kur shohin një kullë apo kur shohin një pallat të ri që ndërtohet, duhet ta dinë se aty janë 3% për strehimin social, kontribut i kujtdo që ndërton një kullë apo një pallat. Janë edhe 8% taksë për qytetin.
Nëse buxhetit të Bashkisë së Tiranës i heq taksat dhe kontributet për strehimin social nga ndërtimi, buxheti bëhet një buxhet që nuk përballon dot shumë nga nevojat që ka qyteti”,- u shpreh Rama.
Por ndërsa kryeministri sheh te kullat një burim të rëndësishëm të ardhurash, financimi i bumit të ndërtimeve në kryeqytet ka qenë vazhdimisht objekt diskutimesh dhe raportimesh, përfshirë dyshimet për përdorimin e parave me origjinë kriminale në sektorin e pasurive të paluajtshme.
Studime dhe investigime të organizatave e mediave ndërkombëtare kanë ngritur gjithnjë pikëpyetje mbi burimin e kapitalit që financon këtë hov ndërtimi dhe rrezikun e pastrimit të parave përmes tyre.













