Avokati i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Plarent Ndreca, i është drejtuar me një kërkesë urgjente Gjykatës së Posaçme (GJKKO), duke kërkuar autorizimin për kryerjen e një ndërhyrjeje kirurgjikale në kyçin e këmbës së majtë të klientit të tij.
Në kërkesën drejtuar trupit gjykues të çështjes, Ndreca kërkon që Veliaj të shoqërohet në Spitalin Continental në Tiranë, ku të kryejë një vlerësim nga ortopedi Alfred Gega dhe, nëse konfirmohet nevoja mjekësore, t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale.
Sipas dokumentit, Veliaj ka pësuar një frakturë në kyçin e këmbës së majtë gjatë qëndrimit në paraburgim. Ortopedi i Spitalit Memorial në Fier ka konstatuar mosbashkimin e frakturës së fibulës distale dhe ka rekomanduar ndërhyrje kirurgjikale brenda javës.
Në kërkesë, avokati pretendon se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka vonuar sigurimin e kontrolleve mjekësore, dokumentacionit dhe shoqërimit të Veliajt për vizitat te specialistët. Ai argumenton se këto vonesa kanë ndikuar në trajtimin dhe ecurinë e dëmtimit.
Ndreca kërkon që GJKKO të autorizojë me urgjencë shoqërimin e Veliajt në Spitalin Continental, si dhe të lejojë shtrimin, operacionin dhe kujdesin pas ndërhyrjes, nëse ekipi mjekësor e vlerëson të nevojshme.
Gjithashtu, kërkohet që Drejtoria e Burgjeve dhe IEVP Fier të marrin masat për përcjelljen e kartelës mjekësore, imazheve diagnostikuese dhe organizimin e transportit e trajtimit spitalor.
Në kërkesën e tij, Plarent Ndreca thekson se trajtimi duhet të mundësohet pa vonesa të mëtejshme, duke iu referuar rekomandimit të mjekëve për ndërhyrje kirurgjikale brenda javës.
Njoftimi i plotë:
KËRKESË
OBJEKTI: Autorizimi me urgjencë i ndërhyrjes kirurgjikale në kyçin e këmbës së majtë të z. Erion Veliaj në Spitalin Continental në Tiranë dhe marrja e masave për shoqërimin e trajtimin spitalor të tij.
DREJTUAR: Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar
Trupit gjykues të procedimit penal nr. 27/2024
Znj. Elsa Ulliri, znj. Flora Hajredinaj dhe z. Besmir Stroka
PËR DIJENI: Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar
Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe IEVP Fier
Komitetit Shqiptar të Helsinkit
KËRKUES: Erion VELIAJ, i biri i Luan dhe i Shqiponjë, i datëlindjes 17.12.1979, lindur e banues në Tiranë.
Përfaqësuar me prokurë të përgjithshme nga Av. Plarent Ndreca.
BAZA LIGJORE: Nenet 28 pika 5 dhe 42 të Kushtetutës. Nenet 3, 6 dhe 13 të KEDNJ-së. Nenet 238 pika 1, 260 pika 4, 350 pika 1 dhe 466 të KPrP-së. Nenet 41, 42 pika 10 dhe 89 pika 1 të ligjit nr. 81/2020. Neni 109 i Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve.
Të nderuar gjyqtarë,
1. Gjatë qëndrimit në paraburgim në IEVP Durrës, z. Erion Veliaj ka pësuar një frakturë në kyçin e këmbës së majtë. Me kalimin e javëve, fraktura nuk u bashkua dhe ortopedi i Spitalit Memorial
Fier rekomandoi ndërhyrje kirurgjikale. Në emër të z. Erion Veliaj, kërkoj që Gjykata të autorizojë dërgimin e tij nën shoqërim në Spitalin Continental në Tiranë për vlerësimin paraoperator dhe për kryerjen, sa më shpejt që të jetë e mundur nga pikëpamja mjekësore, të operacionit të rekomanduar. Kërkesa përfshin shtrimin dhe kujdesin pas ndërhyrjes, nën mbikëqyrjen e IEVP Fier. Ekipi i Spitalit Continental, me dr. Alfred Gegën, do të përcaktojë nevojën përfundimtare për ndërhyrjen dhe afatin e saj, me pëlqimin e informuar të pacientit.
2. Prej javësh, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve e ka kthyer çdo përpjekje për t’i siguruar z. Veliajt kujdesin e nevojshëm në një varg kërkesash, pritjesh dhe pengesash, ndërsa ai vazhdon të presë me këmbën e dëmtuar, për të marrë trajtimin e nevojshëm shëndetësor. Edhe sot, megjithëse mjekët kanë rekomanduar ndërhyrjen brenda javës, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ende nuk ka marrë asnjë vendim për ta mundësuar atë, ndaj i drejtohem Gjykatës që z. Veliaj të marrë pa vonesë trajtimin për të cilin ka nevojë.
Më konkretisht, që më 21 tetor 2026 iu drejtova Spitalit Salus pasi z. Veliaj kishte kërkuar dy herë një grafi kontrolli dhe ende priste përgjigje. Që në kontrollin e 7 tetorit, mjeku kishte vënë re një zhvendosje të lehtë të kockës në vendin e frakturës dhe kishte rekomanduar një vizitë tjetër. Pa grafinë dhe vizitën te ortopedi, mbetej e paqartë nëse kocka po bashkohej siç duhej dhe nëse trajtimi që po ndiqte duhej ndryshuar.
3. Spitali Salus caktoi vizitën dhe ekzaminimet për 23 tetor dhe mbrojtja ia përcolli rezervimin Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, e cila nuk e mundësoi vizitën; por e ktheu kërkesën për plotësime formale, ndonëse paqartësitë mund t’i sqaronte vetë me spitalin. Mbrojtja përcolli dokumentacionin që kishte marrë nga Salus, por Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve e la datën të kalonte pa organizuar shoqërimin.
Pasi i pamundësoi z. Veliaj vizitën, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ia ngarkoi sërish mbrojtjes të siguronte një datë të re dhe të riparaqiste dokumentacionin. Më 26 tetor i kërkova shprehimisht Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të kontaktonte Spitalin Salus dhe të caktonte një datë të re. Siç rezulton nga korrespondenca bashkëlidhur, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk rezulton të ketë bërë asnjërën, ndërkohë që vetëm administrata e burgjeve mund të siguronte daljen dhe shoqërimin e z. Veliaj. Dy ditë më vonë, Drejtoresha e Përgjithshme e Burgjeve e transferoi z. Veliaj në IEVP Fier, ndërsa ai ende mbante çizmen ortopedike dhe priste kontrollin për të parë nëse fraktura po shërohej.
4. Vetëm në fillim të nëntorit u kryen ekzaminimet që duhej të sqaronin ecurinë e frakturës. Më 6 nëntor ortopedi i Spitalit Rajonal Fier konstatoi ngurtësi të kyçit dhe atrofi muskulare dhe kërkoi rezonancë e rivlerësim. Të nesërmen IEVP Fier mundësoi rezonancën, grafinë dhe konsultën në Spitalin Memorial. Ortopedi i Memorialit, dr. Mehmet İnce, evidentoi pretendimet që z. Veliaj personalisht por edhe përmes mbrojtjes së tij kishte javë që i ngrinte dhe kërkonte trajtim të përshtatshëm shëndetësor: dhimbje, kufizim të lëvizjes dhe mosbashkim të frakturës së fibulës distale. Ai rekomandoi operacion. Ky vlerësim tregon përse shqetësimi që z. Veliaj kishte ngritur në tetor meritonte ndjekje në kohë, sepse mosmarrja e trajtimit të nevojshëm shëndetësor ka ndikuar në shërimin e kockës dhe përkeqësimin e saj.
5. Pas rekomandimit për kryerjen e operacionit, në emër dhe për llogari të z. Veliaj kërkova menjëherë raportet dhe imazhet që ortopedi i zgjedhur nga z. Veliaj të mund të jepte mendimin e tij. E përsërita kërkesën më 9 nëntor. Më 12 nëntor, Drejtoresha e Përgjithshme e Burgjeve urdhëroi t’i përcillej mbrojtjes një përgjigje në të cilën administrata mori përsipër të komentonte se si duheshin kuptuar raportet në shqip dhe në anglisht dhe të nxirrte përfundimin se nuk kishte urgjencë mjekësore. Ndërkohë, imazhet që kisha kërkuar disa herë, pikërisht që ato të shqyrtoheshin nga ortopedi i zgjedhur prej z. Veliaj, nuk na u dhanë. Drejtoresha kishte detyrën të siguronte dorëzimin e imazheve dhe, nëse terminologjia kërkonte sqarim, ta merrte atë nga spitali. Në tejkalim të të gjitha tagrave të saj ligjore, por dhe njohurive të saj, duke u marrë me kuptimin e raporteve, ndërsa imazhet nuk ju dhanë mbrojtjes deri më 18 nëntor, Drejtoresha e Përgjithshme e Burgjeve pengoi pikërisht vlerësimin mjekësor që mund të përcaktonte gjendjen e z. Veliaj dhe se sa mund të priste ai për operacionin e rekomanduar.
6. Më 16 nëntor kërkova sërish imazhet dhe shoqërimin për vizitën me ortopedin e zgjedhur, dr. Alfred Gega. Ditën e nesërme z. Veliaj i bëri të ditur Gjykatës se gjendja e këmbës e pengonte të merrte pjesë personalisht dhe kërkoi ndihmë për sigurimin e dokumentacionit. Drejtoria u përgjigj në mbrëmjen e 17 nëntorit dhe propozoi që dr. Gega të paraqitej të nesërmen në IEVP Fier. Mbrojtja u njoh me përgjigjen vetëm më 18 nëntor, kur konsultimi në IEVP u zhvillua pa mjekun e zgjedhur. Po atë ditë, njëmbëdhjetë ditë pas rekomandimit të parë për operacion, Spitali Memorial i Fierit i vuri zyrtarisht në dispozicion mbrojtjes imazhet e grafisë dhe të rezonancës.
7. Më 18 nëntor i njoftova Drejtorisë se dr. Gega ishte gati ta priste z. Veliaj në Spitalin Continental në Tiranë më 20 nëntor, në orën 14:30, për vlerësim dhe nëse konfirmohej indikacioni, për ndërhyrjen. Të nesërmen vetë Drejtoria konfirmoi se ortopedët që e kishin ekzaminuar më 18 nëntor rekomanduan operacion brenda javës dhe se ndërhyrja mund të kryhej në Spitalin Memorial të Fierit. Drejtoria sqaroi se data do të caktohej pas mendimit të mjekut të zgjedhur. Megjithatë, ajo nuk konfirmoi shoqërimin për takimin me pikërisht atë mjek dhe kërkoi që mbrojtja të rakordonte sërish me klientin. Me emailin e 20 nëntorit konfirmova se kërkesa ishte koordinuar me z. Veliaj në bazë të prokurës së administruar dhe përsërita kërkesën për shoqërim në Continental. Deri në atë përgjigje, mbrojtjes nuk i ishte konfirmuar shoqërimi.
8. Nga e gjithë kjo korrespondencë del se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve e ka njohur nevojën për trajtim, por ka treguar neglizhencë në marrjen e masave që do ta bënin të mundur. Pas kërkesave të përsëritura për kontroll, për imazhet dhe për shoqërim te ortopedi i zgjedhur, z. Veliaj vijon të presë një vendim që varet nga administrata e burgjeve. Edhe sot, ndonëse vetë Drejtoria ka konfirmuar se mjekët kanë rekomanduar operacionin brenda javës, ajo ende nuk ka marrë një vendim që t’i mundësojë trajtimin. Ky pasivitet e ka zgjatur pritjen për kujdesin e duhur shëndetësor në një kohë kur afati i ndërhyrjes ka rëndësi për shëndetin e tij.
9. Neni 28, pika 5, i Kushtetutës dhe neni 3 i KEDNJ-së garantojnë trajtim njerëzor dhe kujdesin mjekësor që kërkon gjendja e personit të privuar nga liria. Nenet 41 dhe 42, pika 10, të ligjit nr. 81/2020 zbatohen edhe për të paraburgosurit sipas nenit 89, pika 1. Ato i ngarkojnë administratës sigurimin e kujdesit, edhe jashtë sistemit të burgjeve kur shërbimi i specializuar nuk mund të ofrohet brenda tij. Neni 41, pika 5, njeh të drejtën e zgjedhjes së institucionit për vizitat. Neni 109 i Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve parashikon shoqërimin dhe mbikëqyrjen për trajtimin jashtë institucionit.
10. Sipas GJEDNJ-së, kujdesi gjatë paraburgimit përfshin diagnostikimin, trajtimin në kohë dhe ndjekjen sipas nevojës klinike. Kur mendimet mjekësore ndryshojnë, autoritetet mund të kenë nevojë të marrin një mendim të pavarur specialisti. Edhe kur dokumentet nuk përshkruajnë një emergjencë, administrata duhet të sigurojë vlerësimin e specialistit dhe të organizojë shoqërimin që trajtimi të kryhet në afatin mjekësor (Kudła kundër Polonisë (DhM), § 94, Wenner kundër Gjermanisë, §§ 57–58, Pilčić kundër Kroacisë, §§ 40–42 dhe Andrey Gorbunov kundër Rusisë, §§ 57, 59–61).
11. Kërkesa i drejtohet GJKKO-së, e cila shqyrton çështjen dhe kontrollon masën e sigurimit gjatë gjykimit, në kuptim të neneve 238, pika 1, dhe 260, pika 4, të KPrP-së. Në çështjen e z. Lefter Koka, Gjykata Kushtetuese mori parasysh mundësinë konkrete të trajtimit gjatë paraburgimit dhe pasqyroi qëndrimin e Kolegjit Penal se vizita në një spital privat të zgjedhur mund të kryhet edhe nën masën e arrestit në burg (vendimi nr. 40, datë 14.05.2024, §§ 46–48). Mbi këtë bazë, kërkoj që Gjykata të autorizojë dërgimin e shoqëruar në Spitalin Continental si masë që mundëson trajtimin në kushtet e paraburgimit dhe ndihmon në sigurimin e pjesëmarrjes së z. Veliaj në gjykim.
12. Për këto arsye, mbi bazën e dokumentacionit mjekësor të paraqitur dhe të rekomandimit për ndërhyrje brenda javës, kërkoj që Gjykata të autorizojë me urgjencë shoqërimin e z. Veliaj në Spitalin Continental në Tiranë për vlerësimin nga dr. Alfred Gega në orarin e konfirmuar të 20 nëntorit, në orën 14:30.
Nëse ky orar ka kaluar ose nuk mund të shfrytëzohet, kërkoj të sigurohet shoqërimi më i parë i mundshëm i z. Veliaj në këtë institucion shëndetësor për të marrë trajtimin e nevojshëm. Kërkoj që i njëjti autorizim të mbulojë edhe kryerjen e ndërhyrjes në Continental, nëse ekipi i spitalit e konfirmon nevojën.
Kërkoj që DPB dhe IEVP Fier, në bashkërendim me Prokurorinë e Posaçme sipas nenit 466 të KPrP-së, të mundësojnë pa vonesë përcjelljen e kartelës dhe të imazheve me pëlqimin e pacientit, të organizojnë shoqërimin dhe shtrimin e z. Veliaj, si dhe t’i njoftojnë Gjykatës masat e marra. Kërkuesi mbulon shpenzimet që rrjedhin nga zgjedhja e Continental, sipas ligjit.
13. Bashkëlidhur paraqes kërkesën për kontrollin e tetorit në Salus, komunikimet me DPB-në, përfshirë ato të 18–20 nëntorit për paraqitjen në Continental, shënimet e kartelës klinike, konsultat ortopedike, raportet e grafisë e të rezonancës dhe kronologjinë e mbrojtjes.
Me respekt,
Erion VELIAJ
Përfaqësuar nga
Av. Plarent NDRECA
