Ligji, i cili prej kohësh është kërkuar nga politikanët e së djathtës ekstreme, parasheh që policëve që shkaktojnë vdekjen e dikujt përmes të shtënave t'u njihet prezumimi se kanë vepruar në mënyrë të ligjshme, përveç rasteve kur dëshmohet e kundërta. Kritikët e kanë cilësuar këtë nismë si “licencë për të vrarë”.

Në votimin në dhomën e lartë të Parlamentit francez, ligji u mbështet nga 205 senatorë, ndërsa 110 votuan kundër.

Kundërshtarët e ligjit, përfshirë ligjvënës, organizata për të drejtat e njeriut dhe sindikata, paralajmërojnë se ai mund të çojë në shtim të rasteve të vrasjeve nga policia dhe t'ua vështirësojë familjeve të viktimave kërkimin e drejtësisë.

Grupet parlamentare të së majtës kanë paralajmëruar se do t'i drejtohen Këshillit Kushtetues për shqyrtimin e ligjit, në përpjekje për ta ndaluar hyrjen e tij në fuqi.

Në anën tjetër, Qeveria franceze e mbështet këtë nismë. Ministri i Brendshëm, Laurent Nunez, ka thënë se bëhet fjalë për një masë të rëndësishme për mbrojtjen e policëve që punojnë në kushte të rrezikshme.

Senatorja konservatore Lauriane Josende, nga partia Republikanët, ka deklaruar se qëllimi i ligjit është t'u ofrojë forcave të rendit mbrojtje ligjore të përshtatur me rrethanat në të cilat detyrohen të ndërhyjnë. Sipas saj, ligji do t'u mundësonte policëve të shmangnin mbajtjen në paraburgim për t'u marrë në pyetje.

Franca prej vitesh është përballur me kritika dhe protesta lidhur me pretendimet për dhunë dhe ngacmime policore, kryesisht ndaj personave me ngjyrë dhe komuniteteve arabe.

Një nga rastet më të njohura është vrasja e 17-vjeçarit Nahel Merzouk në vitin 2023, e cila shkaktoi protesta dhe trazira në shkallë vendi.