“Tirana nuk krahasohet më me atë që ishte, por me Europën”/ Rama në Asamble: Nuk dua një parti që i sheh njerëzit si votues

21/11/2026 12:20

Kryeministri Rama ka mbyllur fjalimin e tij në Asamblenë e PS Tiranë. Në pjesën e fundit të fjalës së tij, kryeministri e mbylli për punën e madhe që i pret para zgjedhjeve, por edhe pas tyre, me bindjen se fitorja e Tiranës do të jetë shpërblimi i punës së këtyre viteve.

“Nëse ne nuk e dëgjojmë  një njeri që ka një hall, atëherë ai ka të drejtë të na ndëshkojë me votë. Në bulevardin e flamengove erdhi lumë njerëzish jo për të rrëzuar qevrinë, por për të thënë se çfarë presin dhe kjo është besim. Është besim si një marrëdhënie që duhet ta ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo ditë me atë që bëjmë dhe mbi të gjitha me mënyrën sesi sillemi me njerëzit. Jo si empati apo mirësjellje, por si aftësi për ta parë realitetin e tjetrit, edhe nëse nuk voton për ne.

Shërbim jo si favor, por si arsyeja e vetme përse qytetari na ka besuar pushtetin. Kjo është besa që duhet ta udhëheqë organizimin tonë, sepse nuk na duhet një parti që i sheh njerëzit si votues dhe shqetësohet vetëm për të numëruar votat. Këtë nuk e bën vetëm kryetari dhe drejtuesit, por çdo anëtar i familjes politike, në çdo lagje dhe komunitet. Të kuptohet qartë se nuk po bëjmë organizim për të fituar Tiranën më 9 maj, por sepse kërkon fuqi të madhe qeverisëse më 10 maj.

Jo thjesht më shumë shkolla dhe kopshte, por një qytet ku një fëmijë ka afër të gjitha kushtet. Jo thjesht më shumë turistë, por më shumë vlerë e shtuar në ekonomi. Jo thjesht kryeqytet gjithnjë e më i madh, por gjithnjë e më i mirë. Tirana që kemi sot na kërkon ta ngrejmë në një nivel të ri pritshmërish. Shqipëria, njësoj si Tirana nuk krahasohet me atë që ishte, por me Europën ku kërkon të bëhet pjesë, kjo është një fitore e madhe, por edhe detyrimi ynë dhe sfida jonë me jashtëzakonshme.

Prandaj kemi bërë shumë, por duhet të bëjmë akoma më shumë. Ne gjithmonë jemi përpjekur të kuptojmë çfarë duhet të bëjmë më mirë edhe pasi kemi fituar. Të tjerët presin zgjedhjet për të nisur organizimin, ne e bëjmë këtë sapo zgjedhjet mbarojnë. Fitorja duhet marrë me përulësi dhe avantazh ndaj kundërshtarëve. Kur dera e Europës është më e hapur se kurrë, jemi këtu për të siguruar shqiptarët se ajo derë nuk mbyllet pa hyrë Shqipëria.

Më 9 maj kemi detyrën për t’ i rikthyer kryeqytetit fuqinë e plotë të tij. Më 9 maj, në ditën e Europës, flamuri i Skënderbeut do të valëvitet krah për krah me atë Europian, jo se fitojmë ne zgjedhjet, por sepse Shqipëria fiton vetëm me PS. Me trëndafilin në dorë, askush dhe asgjë ne nuk na ndal”, u shpreh Rama.

Top Channel