Lajmi i fundit

LIVE - Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha, bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale

Nisma për parti politike/ Agron Tufa sfidon kreun e ish-të përndjekurve: Të shpjegojë letrën e vitit 1990 drejtuar regjimit komunist

Nisma për parti politike/ Agron Tufa sfidon kreun e ish-të përndjekurve: Të shpjegojë letrën e vitit 1990 drejtuar regjimit komunist

12:18, 21/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

 

Agron Tufa, ish-drejtues i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, ngre dyshime të forta mbi figurën e Ethem Fezollarit, kreut të Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politikë, pas nismës për krijimin e një partie të re politike të djathtë. Në një reagim publik, Tufa bën të ditur se disponon një dokument arkivor të vitit 1990, një letër që sipas tij Fezollari, i identifikuar në dokument si Hetem Fejzullari, i ka dërguar ministrit të Jashtëm të regjimit komunist, Reiz Malile.

Tufa kërkon që Fezollari të japë shpjegime publike për përmbajtjen dhe kontekstin e kësaj letre, duke vënë në pikëpyetje garancitë morale dhe simbolike të personit që synon të përfaqësojë politikisht ish-të përndjekurit dhe ish-pronarët. Ai ngre gjithashtu dyshime për certifikatat e sigurisë së Fezollarit dhe paralajmëron se përfaqësimi politik i kësaj shtrese nuk duhet të kthehet në një tjetër skenar përçarjeje të së djathtës, siç pretendon se ndodhi në vitin 2017.


REAGIM PËR SHTYP

PARALAJMËRIM PËR ISH-TË PËRNDJEKURIT POLITIKË TË SHQIPËRISË MBI PËRFAQËSIMIN E TYRE POLITIK

U njoha me një iniciativë të Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politikë Demokratë (Antikomunistë) të Shqipërisë, të publikuar në faqen zyrtare më 11 nëntor 2026

(https://www.facebook.com/shoqataantikomunisteeshqiperise). Thelbi i këtij njoftimi zyrtar është ky:

Këshilli Kombëtar i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, i drejtuar nga Ethem Fezollari, miratoi me shumicë dërrmuese themelimin e një partie të re me profil të djathtë — pas 36 vitesh — për drejtësi historike, prona, dëmshpërblime e meritokraci, duke ruajtur pavarësinë e shoqatës dhe duke u hapur edhe ndaj shtresave të tjera.

Nuk ka asgjë të keqe përfaqësimi në nivel partie politike i shtresës së ish-të Përndjekurve Politikë të Komunizmit dhe ish-Pronarëve, të cilët në një përqindje dërrmuese përkojnë te e njëjta shtresë. Përkundrazi, ka qenë një gabim fatal, një mundësi tragjikisht e humbur, që nuk u përfaqësua me partinë e vet (tonë) që në vitin 1991. Pastaj, kjo ide është shfrytëzuar në vitin zgjedhor 2017 nga z. Bilal Kurt Kola. Edhe atëherë, pa paragjykim, personalisht kam qenë dakord dhe nga ana formale e kam mbështetur idenë, pavarësisht dyshimeve të forta për diversion dhe përçarje të votës së djathtë në favor të Partisë Socialiste (Rilindja). Dyshimet u vërtetuan mandej dhe z. Kola u rikthye pas zgjedhjeve në atë institucion të ish-të Përndjekurve që drejtonte. Pra, ishte një lojë e pistë e përçarjes së votës.

Edhe sot, krijimi i një partie politike që të përfaqësojë ish-të Përndjekurit politikë të regjimit komunist dhe ish-pronarët, ndonëse vonë, mbetet tejet aktual. Sepse askush nuk mund t’i mbrojë më mirë interesat e kësaj shtrese (interesa jo vetëm ekonomike), sesa një përfaqësues i denjë, i aftë dhe i pakompromentuar i kësaj shtrese, qoftë edhe pasardhës i familjeve të përndjekura të diktaturës komuniste. Pra, është me rëndësi thelbësore të dihet e të ketë garanci publike personaliteti intelektual, moral e simbolik që e ndërmerr këtë nismë politike dhe e udhëheq.

Pikërisht këtu duhet të ngulim këmbë: ai që do të na udhëheqë, mos do të na çojë sërish në theqafje? Mos do të veprohet sërish si në vitin 2017, që mandej edhe ideja e një përfaqësimi politik të ish-të Përndjekurve dhe ish-Pronarëve të tingëllojë qesharake dhe e diskredituar? A është zoti Ethem Fezollari një personalitet i pastër, që të përbëjë garanci morale e simbolike për një mbështetje të fuqishme të familjeve të ish-të Përndjekurve Politikë dhe të ish-Pronarëve?
Gjykuar nga një mbledhje “themeluese” ku u mor vendimi për ngritjen e një partie politike që të përfaqësojë shtresën tonë, e mbajtur diku, në një restorant-mëngjesore, me gjithsej rreth 20 entuziastë, kryesisht të shoqatës, — them se jo! Them se luhet një lojë po aq e ndyrë sa në vitin 2017. Pse?

Unë nuk e njoh personalisht z. Ethem Fezollari dhe nuk kam pasur të bëj me zotërinë asnjëherë, në asnjë marrëdhënie, pasi unë u largova nga Shqipëria kur në drejtimin e shoqatës ishte i ndjeri Nebil Çika. Por unë zotëroj një dokument arkivash, që nuk na e paraqet aspak në dritë të mirë personalitetin e z. Fezollari. Prandaj, duke ju njohur me këtë dokument dhe duke e bërë atë publik, kjo e shtrëngon Kryetarin e Shoqatës, z. Fezollari, të japë shpjegime të hollësishme para Kryesisë së Shoqatës së vet, para gjithë shtresës së ish-të Përndjekurve që mëton t’i përfaqësojë politikisht dhe para gjithë opinionit të gjerë shoqëror. Një sqarim publik është më e pakta, madje duhen sqaruar me mjaft delikatesë e në mënyrë mbushamendëse hollësitë dhe konteksti i letrës së z. Fezollari (në dokument: Hetem Fejzullari) drejtuar ministrit të jashtëm të diktaturës, Reiz Malile, në vitin 1990. Urojmë që z. Fezollari t’ia dalë në mënyrë shteruese.

Por, nëse z. Ethem Fezollari tërë shpresat i ka mbështetur te “certifikatat e sigurisë” të lëshuara që nga Komisioni “Mezini”, e sidomos nga Certifikatat e lëshuara nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) — një Agjenci propagandistike e Kryeministrit Rama e mirëmenduar për manipulimin dhe shkatërrimin e Dosjeve të diktaturës, këtë shpresë e ka të kotë. Për më tepër, nuk e zhbën dot dokumentin e letrës së tij me përbetimet besnike ndaj diktaturës. AIDSSH, e ngritur dhe e vënë në funksion nga ish-shefat dhe oficerët operativë të ish-Sigurimit të Shtetit, nën tutelën personale të Xhavit Shalës dhe ish-operativëve të tjerë, të cilët kanë drejtoresha departamentesh aty gratë e tyre, — nuk mund të shërbejë si e vërteta e instancës së fundit.

Për më tepër, emrat që kanë firmosur Certifikatën e Sigurisë së z. Ethem Fezollari kanë detyrimin etik dhe moral të na sqarojnë publikisht se ç’urdhër kanë marrë për ta dhënë një pastërti të tillë, duke anashkaluar letrën e z. Fezollari nga Melburni me gatishmërinë dhe përbetimet e drejtuara ministrit të jashtëm të diktaturës, Reiz Maliles.
Se si është kjo letër, ju ftoj ta gjeni në bashkëlidhje, ta lexoni e të gjykoni vetë.

Mbetem i mendimit se po, shtresa e ish-të Përndjekurve Politikë dhe e ish-Pronarëve duhet të përfaqësohet politikisht me subjektin e vet, që e zgjedh vetë, pa ia imponuar në rrugë të errëta asnjëra nga partitë politike të tranzicionit. E ka këtë mundësi, e ka potencialin e vet të gjithanshëm me burra e gra, djem e vajza të mrekullueshëm, të ditur e të kulturuar nga familjet fisnike e të përvuajtura të Shqipërisë. Madje këtë duhet ta bëjë pa humbur kohë, në pragun e një big-bangu të shpërthimit të partive të reja, në një vit, ndoshta të afërt elektoral.

Agron TUFA

Zvicër, 21 nëntor 2026
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco