“Ka krizë në drejtimin e bashkisë”, Manastirliu në Asamblenë e PS-së: Na duhet 10 herë më shumë punë për të fituar Tiranën

Ogerta Manastirliu ka mbajtur fjalën në Asamblenë e Partisë Socialiste në Tiranë, ku ka folur për organizimin e ri të strukturave socialiste në kryeqytet dhe përgatitjet për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027.
“Ne gjithmonë jemi përpjekur të kuptojmë çfarë duhet të bëjmë më mirë, edhe pasi kemi fituar. Të tjerët organizohen kur vijnë zgjedhjet. Ne organizohemi sapo zgjedhjet të mbarojnë. Sot, kur dera e Evropës është më pranë se kurrë, jemi këtu që ajo derë të mos mbyllet pa hyrë Shqipëria në të.
Më lejoni t’i uroj punë të mbarë Albana Koçiut dhe Ervin Demos në bashkëkryesimin e Bashkisë së Tiranës.
Shqipërinë në Bashkimin Evropian e bën të mundur vetëm Edi Rama dhe Partia Socialiste.
Jemi përballë një sprove të madhe. Dhe unë, modestisht, me aq eksperiencë sa kam në strukturat e PS-së, nuk besoj të kemi pasur një sprovë kaq të madhe në këtë terren dhe në këtë kohë sesa kjo e sotmja, për të fituar një garë që nuk kërkohet vetëm për PS-në, por për Shqipërinë, fëmijët dhe të rinjtë e të rejat që duan ta bëjnë jetën këtu, në vendin tonë.
Për ne, organizimi politik dhe elektoral i PS-së merr një tjetër kuptim. Jo se nuk kemi parë shumë, por të gjitha na kanë mësuar. Duhet të dëgjojmë më shumë, të korrigjohemi më shpejt.
Ne e bëmë organizimin e territorit në raport me atë që Tirana sot të garanton. Tirana sot kërkon të ridimensionojë veten. Ne, në kuptimin e territorit dhe të ndryshimeve demografike, duhet t’i përgjigjemi kësaj sfide.
Na duhet 10 herë më shumë punë se në zgjedhjet e fundit për t’i fituar. Këtu është qeveria dhe gjithë bashkia duhet të bëjë detyrën.
Tirana është baza e fortë dhe e qëndrueshme e PS-së. Me sfidat e saj dhe gjithë ngjarjet e këtij viti, na duhet më shumë mobilizim, energji dhe disiplinë.
Duhet të forcojmë marrëdhënien tonë me komunitetet e ardhura në Tiranë. Tirana është një skuadër që i ka të gjithë brenda. Është shumë e rëndësishme që ta nisim organizimin e ri duke vendosur kontakte me të gjithë banorët e Tiranës, nga autoktonët te më të rinjtë.
Nuk fshihemi pas gishtit. Ka një krizë në drejtimin e punëve të Tiranës. Por PS-ja di ta kthejë krizën në mundësi. Ndaj ka vetëm vend për punë, as për demotivim apo çorientim.
Të jemi të fokusuar te Tirana 2030, Shqipëria 2030 në BE. Zgjedhjet kërkojnë që ne ta mbrojmë votën duke ia kërkuar besimin. 170 ditë të mbetura drejt 9 majit duhet të jemi prezentë. Kemi bashkëvendosur që organizimi i ri i Tiranës t’i përshtatet pulsit social që duhet të ketë Tirana në raport me organizimin e ri politik.
Betejën e Tiranës duhet ta kuptojmë qartë: është për Tiranën evropiane dhe Shqipërinë evropiane. Ne, nga sot, nisim këtë fushatë e cila, në tre drejtime kryesore, deri në dhjetor konsolidon strukturat.“, tha Manastirliu.




