
Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës ka reflektuar pas “kujtesës” nga ShkodraWeb, për mungesën në web-in e vet të procedurës së zgjedhjeve për rektor me 14 dhjetor 2026. Brenda pak orësh, si me magji, tek seksioni “ZGJEDHJET” është shfaqur linku “ZGJEDHJET 2026”. Brenda tij, duke klikuar, janë vendosur disa dokumente, duke nisur nga Urdhri i Ministres së Arsimit për datën e zgjedhjeve për rektor në UNISHK, Urdhri i rektores për fillimin e procesit zgjedhor si dhe vendimet e Senatit Akademik për plotësimin e vakancave në KIZ dhe KA.

Sigurisht, reflektimi i shpejtë i UNISHK, duhet vlerësuar me nota pozitive, duke korrigjuar një mangësi që linte shijen e mungesës së transparencës në një proces shumë të rëndësishëm siç është zgjedhja e rektorit të ri. Duam të besojmë se transparenca do të vijojë për të gjithë këtë proces, i cili kulmon me 14 dhjetor 2026 por sigurisht, mund të vazhdojë edhe më pas me vendimmarrje të KIZ dhe KA.

Ndërkohë, enigmë mbetet mbledhja e parë e KIZ- Komisionit Institucional të Zgjedhjeve. Pas plotësimit të vakancave nga Senati Akademik, nuk ka pengesë për mbledhjen e parë të tij, konstituimin, zgjedhjen e kryetarit, shpalljen e afateve të etapave deri me 14 dhjetor 2026. Në Nenin 6 të Rregullores për Zgjedhjet, në fuqi aktualisht, në pikën d) thuhet se “KIZ-i konstituohet pas miratimit nga Senati i USH-së të rregullores së re të zgjedhjeve”. Nëse është vendosur që Rregullorja aktuale të ndryshohet, është detyrim transparenca se kur do të mblidhet Senati Akademik për këtë qëllim. Nëse nuk ekziston kjo “pengesë”, atëherë KIZ është në kushtet e shpërdorimit të detyrës. Në pikën g) të të njëjtin nen të cituar më sipër, thuhet se “Gjatë periudhës zgjedhore, KIZ-i mblidhet jo më pak se 3 herë në javë”. Periudha zgjedhore ka nisur me 13 nëntor, pra ka kaluar më shumë se 1 javë nga rreth 4 në dispozicion. Edhe pa plotësimin e vakancave nga Senati Akademik, edhe pas dorëheqjes së kryetares Tirana, KIZ ka patur kuorum jo vetëm për mbledhje por edhe për zgjedhjen e kryetarit, i cili kërkon shumicë të thjeshtë, 4 nga 7 anëtarët. /ShkodraWeb/





