Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar publikisht lidhur me gjendjen shëndetësore të Erion Veliajt, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe zëvendëskryeministren Belinda Balluku se po i mohojnë atij trajtimin e nevojshëm mjekësor pas një frakture në këmbë.
Sipas deklaratës së Berishës, refuzimi për të lejuar ndërhyrjen mjekësore është sinjalizuar më herët nga avokati i Veliajt dhe së fundmi edhe nga vetë ai përmes një letre drejtuar Ballukut.
Berisha pretendon se kjo situatë po përdoret si formë presioni dhe ndëshkimi, pasi Veliaj nuk ka pranuar t'ia kalojë drejtimin e Bashkisë së Tiranës atij që ai e cilëson si “beniaminit të tyre”, Arbër Hajdari.
Duke komentuar këtë veprim ndaj një personi në paraburgim me frakturë të kërcirit, kryedemokrati përdori gjuhë të ashpër ndaj drejtuesve të qeverisë, duke akuzuar “dyshja famëzezë Lubi dhe Edvin Balluku”, ku Belinda Ballukun e etiketon si “Lubia” dhe Ramën si “Palloshi i saj i gjatë”, se me veprimet e tyre po tregojnë që duan që Veliaj të vdesë sa më shpejt.
Berisha e cilësoi këtë qasje si “të standardeve më të zeza, shtazore, të bastardëve të bllokmenëve hoxhistë”, ndërsa nuk kurseu as akuzat ndaj prokurorëve të çështjes. Sipas tij, mosreagimi i organit të akuzës është një qëndrim çnjerëzor dhe përbën pjesë të një “krimi shtetëror”.
REAGIMI I PLOTË
"Qëndrim çnjerëzor i dyshes famëzezë Rama–Lubia!
Lubia dhe Palloshi i saj i gjatë Edvin Balluku rikthejnë standardet më të zeza e më çnjerëzore të diktaturës më të egër në qëndrimin ndaj të burgosurit Erion Veliaj.
Të dashur miq, avokati i të burgosurit Erion Veliaj dhe së fundmi edhe vetë ai, me një letër drejtuar Lubi Ballukut, akuzojnë Lubinë dhe Ramën se nuk i lejojnë ndërhyrjen e domosdoshme në këmbën e thyer, si ndëshkim për kundërshtimin e urdhrave të tyre për t’ia dorëzuar Bashkinë e Tiranës benjaminit të tyre, Arbër Hajdari. Me këtë qëndrim çnjerëzor ndaj një të burgosuri me frakturë të kërcirit, dyshja famëzezë Lubi dhe Edvin Balluku dëshmojnë se e duan të vdekur sa më parë Erion Veliajn. Dënoj me forcën më të madhe këtë qëndrim të standardeve më të zeza, shtazore, të bastardëve të bllokmenëve hoxhistë, por edhe qëndrimin absolutisht çnjerëzor të prokurorëve të çështjes, të cilët heshtin para këtij krimi shtetëror. U bëj thirrje Komitetit Antitorturë, Komisionerëve për të Drejtat e Njeriut pranë KiE-së, OSBE-së, OKB-së dhe Kryqit të Kuq Ndërkombëtar të ndërhyjnë urgjentisht për të garantuar trajtimin ligjor të të burgosurit Erion Veliaj, jeta e të cilit është në rrezik të lartë nga dyshja shtazore Lubi dhe Edvin Balluku."