Policia e Kosovës ka lëshuar certifikata për 175 zyrtarë policorë të Njësive për Reagim të Shpejtë (NJRSH), pasi ata përfunduan ciklin e trajnimeve profesionale në modulin “Ballafaqimi me Turma”.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, trajnimi u organizua në pesë grupe, ndërsa grupi i pestë ishte i fundit që e mbylli këtë program profesional.
Të lidhura
None found
Realizimi i trajnimit u bë nga instruktorët e Drejtorisë së Njësisë Speciale Operative (NJSO), në Kampin e Njësive Speciale në Vrellë dhe në Qendrën e Njësive Speciale “Enver Zymeri” në Mitrovicë, nën mbikëqyrjen e Divizionit të Trajnimit, që vepron brenda Departamentit të Burimeve Njerëzore.
Në ceremoninë e certifikimit ishin të pranishëm përfaqësues të stafit udhëheqës të Departamentit dhe Divizionit të Njësive Speciale, instruktorë të NJSO-së, si dhe përfaqësues të stafit mbikëqyrës të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Jugut.
Ky program, sipas Policisë, bën pjesë në aktivitetet e planifikuara për zhvillimin profesional të Njësive për Reagim të Shpejtë, me fokus në standardizimin e përgatitjes dhe avancimin e kapaciteteve për përmbushjen e detyrave policore.
Qëllimi i këtij trajnimi është forcimi i kapaciteteve profesionale dhe operative të zyrtarëve policorë, si dhe ngritja e gatishmërisë së tyre për t’u përballur me situata që kërkojnë menaxhim dhe reagim ndaj turmave.





