175 policë certifikohen në trajnimin për ballafaqimin me turma
Policia e Kosovës ka përmbyllur ciklin e trajnimeve profesionale në modulin “Ballafaqimi me Turma”, me certifikimin e grupit të pestë dhe të fundit. Në këtë program janë certifikuar gjithsej 175 zyrtarë policorë të Njësive për Reagim të Shpejtë (NJRSH).
Siç bën të ditur Policia, trajnimi është zhvilluar në pesë grupe nga instruktorët e Drejtorisë së Njësisë Speciale Operative, në Kampin e Njësive Speciale në Vrellë dhe në Qendrën e Njësive Speciale “Enver Zymeri” në Mitrovicë, njofton Dukagjini.
Programi është realizuar nën mbikëqyrjen e Divizionit të Trajnimit, në kuadër të Departamentit të Burimeve Njerëzore të Policisë së Kosovës.
Në ceremoninë e certifikimit morën pjesë përfaqësues të stafit udhëheqës të Departamentit dhe Divizionit të Njësive Speciale, instruktorët e NJSO-së, si dhe përfaqësues të stafit mbikëqyrës të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Jugut.
Sipas Policisë, ky program është pjesë e aktiviteteve të planifikuara për zhvillimin profesional të Njësive për Reagim të Shpejtë, me fokus në standardizimin e përgatitjes dhe avancimin e kapaciteteve për përmbushjen e detyrave policore.
Tutje thuhet se përmes këtyre trajnimeve, Policia e Kosovës synon të rrisë gatishmërinë dhe aftësitë profesionale e operative të zyrtarëve policorë.















