
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar përplasjet mes kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe kryeministrit Edi Rama, duke i bërë thirrje Veliajt të bëjë publike të gjitha informacionet që disponon për kreun e qeverisë.
Gjatë bashkëbisedimit online me ndjekësit, Berisha u shpreh se Veliaj mund të kontribuojë duke u treguar shqiptarëve gjithçka di për Ramën. Ai theksoi se, sipas tij, përgjegjësitë e kryeministrit janë shumë më të mëdha se ato të kujtdo tjetër.
“Erion Veliaj, nëse do të kontribuojë, le t’u thotë shqiptarëve gjithçka di për Edi Ramën, sepse sado që të ketë bërë vetë, krimet e Edi Ramës janë të pakrahasueshme me të asnjë tjetri dhe unë nuk mund të them se Erion Veliaj sot në qeli është rrezik ekzistencial për Shqipërinë. Ne kemi protestuar dhe kemi bërë gjithçka që ai të shkojë para drejtësisë. Ky është qëndrimi im ndaj cilitdo që do të kontribuojë për të larguar nga pushteti dyshen më famëkeqe Rama-Balluku apo Balluku-Rama”, tha Berisha.