Nga Boldnews.al
Në Shqipëri, Ilir Shehu njihet si një biznesmen i rëndësishëm në tregun e farmaceutikëve. Kompania e tij kryesore, “Medicamenta”, ka përfituar rreth 40 milionë euro në tenderat publikë, të zhvilluar nga strukturat shtetërore të Shëndetësisë.
Por, në Itali, ai ishte një “i dyshuar i përhershëm”. Interpol Roma ka njoftuar strukturat homologe shqiptare se Ilir Shehu (Pasholli), të paktën në periudhën nga viti 2010 deri në vitin 2025, është ndaluar për kontroll të imtësishëm në thuajse të gjithë aeroportet italiane, të cilat ai ka frekuentuar. Dhe, këto ndalime nuk kanë qenë të pakta.
“Shtetasi shqiptar Ilir Shehu, i njohur më parë me mbiemrin Pasholli, është ndalur për të kryer kontrolle shumë herë, në aeroportin e Bolonjas, Veronas, Milanos, Rimit, Torinos, Pizas, Romës apo edhe në portet e Ankonës dhe Barit”, thuhet në një informacion zyrtar të mbërritur nga Italia në adresë të strukturave policore shqiptare, në mars të vitit 2026.
Nuk ishte thjesht “fat i keq”. Ilir Shehu ishte një person i skeduar nga strukturat policore italiane që në mesin e viteve ’90. Ai ishte skeduar në bazën e të dhënave të autoriteve përtej Adriatikut si person i përfshirë në aktivitete të ndryshme kriminale, përfshirë “pengmarrje”, “shfrytëzim prostitucioni” e “përfitim i mallrave të vjedhura”.

Tashmë, një personazh me këtë të kaluar të dyshimte që paraqitej në sportelet italiane si sipërmarrës i suksesshëm shqiptar, ngrinte gjithnjë sinjalin e alertit. Ndaj, edhe Shehu duhet të kalonte, në çdo rast, “rutinën” e kontrollit të imtësishëm.
Megjithë problematikat që i hapeshin në pikat kufitare hyrëse në Itali, biznesmeni shqiptar Ilir Shehu duket se nuk është ndjerë i shqetësuar. Ai i kalonte këto kontrolle dhe më tej vijonte aktivitetin e tij tërësisht i pashqetësuar. Të paktën deri në fillim të vitit 2026.
Hetimi pasuror
Në fund të vitit 2025, struktura kundër Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit merr informacion për aktivitet të dyshuar kriminal të Ilir Shehut (Pashollit), të kryera vite më parë në Itali. Pas këtij informacioni, nisën verifikimet pasurore, në kuadër të ligjit “Antimafia”.
Të dhënat e siguruara paraprakish tregonin se Ilir Shehu kishte aktivitet të zgjeruar tregtar dhe të ardhurave të shumta, përfshirë llogari bankare personale.
Me këto të dhëna, si edhe me informacionin e siguruara nga Interpol Roma për të kaluarën e tij problematike, Drejtoria e Policisë referon rastin e Shehut pranë Prokurorisë së Posaçme, në prill të vitit 2026.
Prokurorët e SPAK-ut, pasi kryen verifikimet fillestare, e kaluan çështjen për kompetencë pranë Prokurorisë së Tiranës. Prokurorja Suela Salavaçi kreu verifikimet për një periudhë 6-mujore.
Në 17 nëntor 2026, gjykata pranoi kërkesën e prokurores së çështjes, duke caktuar sekuestro për pasuri të konsiderueshme, të regjistruara në emër të Ilir Shehut (Pashollit) dhe personave të afërt me të.
Sekuestrot
Në kuadër të këtij hetimi, Prokuroria e Tiranës krijoi dyshime të arsyeshme se “ky shtetas rezultoi se krijoi një pasuri të ngritur mbi aktivitet kriminal dhe mungesë kontrolli institucional”.
Sipas Prokurorisë, “ai zotëron dy godina biznesi në Tiranë, të krijuar me kapital pas dënimit për trafik ndërkombëtar droge në Itali. Për më tepër, aksioneri italian i Medicamenta është një shtetas italian nën akuzë për korrupsion në vendin e tij. Pavarësisht këtyre fakteve, kompanitë e Shehut kanë operuar lirisht në tregun shqiptar, pa iu nënshtruar ndonjë kontrolli serioz pasuror ose ligjor, edhe pse ligji antimafia parashikon sekuestrim të pasurive për individë të dënuar për trafik ndërkombëtar droge”.













