E shtunë, 21 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Rama “mpreh shpatën” dhe kërcënon socialistët: Kush nuk binder, s’ka vend këtu
Lajme

Rama “mpreh shpatën” dhe kërcënon socialistët: Kush nuk binder, s’ka vend këtu

Kryeministri Edi Rama ka ashpërsuar gjuhën ndaj socialistëve që nuk ndjekin linjën e drejtimit të Partisë Socialiste, duke paralajmëruar se ata që nuk përmbushin detyrimet politike dhe organizative nuk do të kenë më vend në parti.

Deklaratat u bënë gjatë mbledhjes së Asamblesë së PS-së në Tiranë, në një kohë kur brenda strukturave socialiste janë shfaqur tensione të forta, veçanërisht pas përplasjes me Erion Veliajn, i cili ndodhet në burgun e Fierit.

Edhe pse nuk e përmendi me emër kryebashkiakun e pezulluar, mesazhi i Ramës duket se kishte edhe një adresë të qartë politike. Vetëm pak orë më parë, Veliaj kishte përcjellë nga qelia një mesazh për socialistët, ku kritikonte drejtimin e partisë dhe akuzonte se strukturat po dominohen nga njerëz të mbështetur te privilegjet.

Gjatë fjalës së tij, Rama përdori edhe një shprehje ironike për të paralajmëruar ata që, sipas tij, nuk respektojnë përgjegjësitë brenda familjes politike socialiste.

“Kush do të sillet si e ëma e Zeqos në majë të thanës me detyrat e familjes sonë politike, nuk do të ketë më vend në këtë shtëpi të madhe politike, ku të gjithë janë të nevojshëm, por askush nuk është i domosdoshëm”, deklaroi kryeministri.

Rama pranon dobësitë në organizim, por fajëson edhe vjedhjen e zgjedhjeve

Një pjesë e rëndësishme e fjalës së tij iu kushtua humbjes së zgjedhjeve të mëparshme vendore në Tiranë dhe nevojës për të riorganizuar strukturat e PS-së për garën e ardhshme.

Rama pretendoi se socialistëve u ishte mohuar fitorja për shkak të asaj që e cilësoi si vjedhje të zgjedhjeve të konfirmuar me vulë gjykate. Megjithatë, ai pranoi se edhe organizimi i dobët i vetë partisë kishte ndikuar në rezultat.

“Mbajeni edhe më mirë parasysh këtë herë se atë herë që nuk e mbajtëm dot fitoren, na mundi vjedhja me vulë gjykate e zgjedhjeve, por na la në baltë edhe organizimi i bërë me mendjelehtësinë e skuadrës që hyn në fushë e bindur se e ka fitoren në xhep”, u shpreh Rama.

Kryeministri kujtoi se PS-ja ka fituar gjashtë nga shtatë garat elektorale në Tiranë gjatë 26 viteve të fundit, ndërsa kërkoi një ofertë të re politike dhe angazhim më të madh nga strukturat në terren.

Përplasja me Veliajn në sfondin e Asamblesë

Deklaratat e Ramës marrin një tjetër kontekst pas mesazhit që Erion Veliaj u dërgoi socialistëve të Tiranës nga burgu, ku kritikonte mënyrën se si po drejtohet partia dhe ndikimin e njerëzve që, sipas tij, kanë zëvendësuar aktivistët e vjetër me individë të mbështetur te privilegjet.

“Ne ndërtuam një parti zemrash, jo një hordhi privilegjesh”, ishte një nga mesazhet kryesore të Veliajt, i cili vuri në pikëpyetje edhe drejtimin aktual të PS-së.

Përtej përplasjes politike, Rama foli edhe për një partneritet të ri strategjik me operatorë të mëdhenj europianë dhe për nevojën e unifikimit të politikave vendore për taksat dhe tarifat. Ai kundërshtoi situatën kur qeveria aplikon zero taksë për biznesin e vogël, ndërsa bashkitë vendosin tarifa të shumta.

Në këtë klimë tensionesh, paralajmërimi i kryeministrit se askush nuk është i pazëvendësueshëm në PS duket si një mesazh i drejtpërdrejtë për këdo që kundërshton drejtimin aktual të partisë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.