Raphinha është bërë pjesë e një polemike mes Barcelonës dhe Brazilit për menaxhimin e grumbullimeve me kombëtaren. Në Spanjë, braziliani kritikohet për pjesëmarrjen në ndeshjet miqësore të “Seleçaos”, pavarësisht rrezikut të dëmtimeve. Ndërsa në Brazil, disa e akuzojnë se vendos interesat e klubit mbi ato të përfaqësueses.
Sipas “Sport”, futbollisti i konsideron këto kritika të padrejta dhe joproporcionale, pasi, sipas tij, polemika është ndërtuar mbi interpretime dhe jo fakte konkrete. Ai është veçanërisht i pakënaqur me mënyrën se si është pasqyruar çështja dhe po shqyrton mundësinë të reagojë publikisht në ditët e ardhshme për të shpjeguar qëndrimin e tij.
Shqetësimi lidhet me problemet fizike që Raphinha ka pasur së fundmi, të shfaqura gjatë angazhimeve me Brazilin, çka ka shtuar frikën e Barcelonës për dëmtime të tjera. Megjithatë, lojtari nuk i konsideron këto probleme të lidhura me grumbullimet, por si rastësi që bëjnë pjesë në rreziqet normale të futbollit.
Raphinha nuk dëshiron që marrëdhënia e tij me klubin apo kombëtaren të vihet në diskutim dhe synon ta mbyllë përfundimisht këtë polemikë.







