Në rrënojat e lashta të pallatit të Knosit, në ishullin grek të Kretës, thuhet se dikur ekzistonte një labirint.
Nuk janë gjetur prova të ekzistencës së labirintit, por miti grek që rrëfen historinë e tij e ka përjetësuar atë në imagjinatë. Ashtu si shumë histori themelore, edhe kjo është rrëfyer dhe ritreguar në forma të ndryshme, duke u bërë pjesë e kulturës dhe duke frymëzuar figura të ndryshme, nga Zigmund Frojdidhe Platoni, deri te Suzanë Kollinsi, autorja e serisë "Lojërat e Urisë".
Miti i labirintit

Historia është e zymtë. Në versionin më të njohur, mbreti Minos i Kretës refuzon të sakrifikojë një dem të bardhë, siç i kishte premtuar perëndisë Poseidon, i cili më pas e ndëshkon gruan e mbretit, Pasifën, duke e bërë të dashurohet pas demit.
Nga kjo marrëdhënie lind një krijesë që ushqehet me mish njerëzor, e quajtur Minotauri, me trup njeriu dhe kokë demi. Ai burgoset në një labirint nën Knos, të ndërtuar nga arkitekti Dedal, i cili më vonë ngec aty së bashku me të birin, Ikarin.
Ndërkohë, djali i mbretit Minos ishte vrarë më parë nga mbreti Ege i Athinës, gjë që çoi në një luftë, e cila përfundoi me humbjen e Athinës. I pakënaqur vetëm me fitoren, mbreti Minos urdhëron që çdo vit (ose çdo nëntë vjet, në varësi të versionit të mitit) shtatë djem dhe shtatë vajza nga Athina të dërgohen si haraç në labirint, ku vriten nga Minotauri.
Në një nga versionet më të njohura të mitit, heroi Tezeu dërgohet në labirint, por arrin të mbijetojë pasi Ariadna, vajza e mbretit Minos, i jep një fill që ta përdorë për të gjetur rrugën e daljes. Në fund, ai vret Minotaurin dhe del fitimtar. (Por historia e tij nuk përfundon këtu; më vonë ai e braktis Ariadnën, e cila përfundimisht martohet me perëndinë Dionis.)
Si e frymëzoi miti i labirintit dhe heroi Tezeu Suzanë Kollinsin

Në një intervistë të vitit 2008 për SLJ, Kollins shpjegoi se si ky mit e ndihmoi të krijonte "Lojërat e Urisë" dhe personazhin kryesor, Katnis Everdin.
“Historia bazohet shumë te miti i Tezeut dhe Minotaurit, të cilin e lexova kur isha tetë vjeçe”, tha ajo, kur u pyet për frymëzimin e serisë. “Isha një fanse e madhe e mitologjisë greke dhe romake. Si ndëshkim për zemërimin e Kretës, Athina duhej të dërgonte periodikisht shtatë djem dhe shtatë vajza në Kretë, ku ata futeshin në labirint dhe përpiheshin nga Minotauri, një përbindësh gjysmë njeri dhe gjysmë dem. Edhe kur isha e vogël, kjo histori më tronditi, sepse ishte kaq mizore dhe Kreta kaq e pamëshirshme”.
Pafuqia dhe tragjedia që përmbante kjo histori e prekën Kollinsin, e cila e përdori Tezeun, që në disa versione të mitit vullnetarisht merr vendin e një prej viktimave, si model për Katnisin. “...Cikli nuk përfundon derisa Tezeu vendos vullnetarisht të shkojë dhe vret Minotaurin”, shtoi Kollinsi. “Në mënyrën e saj, Katnisi (heroina e "Lojërat e Urisë") është një Teze i së ardhmes”.
Duke mos dashur ta vendoste historinë e saj në një labirint, ajo vendosi të shkruante atë që e quajti “një version të përditësuar të lojërave të gladiatorëve romakë”. Ideja mori formë të plotë pas një mbrëmjeje kur po kalonte nga një program televiziv reality te pamjet reale të luftës në Irak.
“Një natë, po qëndroja shtrirë në shtrat dhe po kaloja nga programet reality në pamjet reale të luftës”, vijoi ajo. “Në një kanal, ishte një grup të rinjsh që konkurronin për diçka që as nuk e mbaj mend; në kanalin tjetër, një grup të rinjsh po luftonin në një luftë të vërtetë. Isha shumë e lodhur dhe kufijtë mes këtyre historive nisën të mjegulloheshin në një mënyrë shqetësuese. Pikërisht në atë moment më lindi historia e Katnisit”.
"Lojërat e Urisë" e sjell mitin grek të labirintit në një epokë të re

"Lojërat e Urisë" u botua në vitin 2008 dhe trilogjia fillestare përbëhej nga tri libra. Kollinsi ka botuar gjithashtu dy romane të tjera, “The Ballad of Songbirds and Snakes” dhe “Sunrise on the Reaping”. Një përshtatje filmike e këtij të fundit pritet të dalë më 20 nëntor 2026.
Secili libër trajton brutalitetin dhe pasojat e Lojërave të Urisë, një garë ku 12 distrikte detyrohen të dërgojnë përfaqësues, të cilët duhet të luftojnë deri në vdekje në një konkurrim televiziv.
Megjithëse në historinë e Kollinsit nuk ka Minotaur, qyteti i Kapitolit, me lakminë monstruoze dhe etjen e pafund për argëtim të dhunshëm, mund të shihet si analogjia më e afërt me Kretën. Edhe mbreti Minos, dhimbja e të cilit shndërrohet në një vendim mizor për të urdhëruar vdekjen e fëmijëve të pafajshëm vit pas viti, ka ngjashmëri të qarta me Presidentin Snou.
Ndërkohë, analogjia më e afërt me Minotaurin mund të jetë vetë dhuna që zhvillohet në arenë, e organizuar nga drejtues të papërgjegjshëm, të cilët i lënë pjesëmarrësit pa zgjidhje tjetër veçse të shkatërrojnë njëri-tjetrin. /Mental Floss – Syri.net
© SYRI.net