E shtunë, 21 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Deputetja e Ramës propozon ligj për të varrosur tenderat e IT-së
Lajme

Deputetja e Ramës propozon ligj për të varrosur tenderat e IT-së

Mekanizmi i “idiotëve të dobishëm”

Deri më sot, kontributi i vetëm i dukshëm publik i deputetes socialiste Briseida Çakërri — e futur në Kuvend në fund të vitit 2025 si zëvendësuese në listën e Vlorës — ishte një perlë e logjikës ekonomike në studiot televizive.

E pyetur në korrik 2026 se përse rënia e euros nuk po ulte çmimet e shportës për qytetarët, ajo dha diagnozën e saj lapidare: “Është ulur euro se është forcuar leku”. Një tautologji që do të mjaftonte për ta lënë në arkivat e humorit parlamentar si një deputete të parëndësishme, të paaftë për të kuptuar mekanizmat bazë të tregut.

Por kur injoranca ekonomike kombinohet me makinerinë e kartonëve të mazhorancës, batutat kthehen në rrezik kombëtar. Po e njëjta deputete që ngatërron shkakun me pasojën te kursi i këmbimit, ka vendosur firmën e saj në një projektligj me vetëm dy nene, i cili i bën atentatin më të rëndë transparencës së financave publike: asgjësimin praktik të tenderave në fushën e teknologjisë së informacionit.

Mekanizmi i "idiotëve të dobishëm"/ Deputetja e

Me vetëm dy nene, projektligji i depozituar në Kuvend nga deputetja socialiste Briseida Çakërri shënon goditjen më të rëndë ndaj transparencës së shpenzimeve publike në sektorin e teknologjisë së informacionit.

Nën petkun e modernizimit dhe sigurisë kibernetike, nisma legjislative bën atë që deri dje dukej e paimagjinueshme: e nxjerr ligjin e prokurimit publik jashtë loje dhe u jep shoqërive shtetërore operatore TIK një çek të bardhë për të lidhur kontrata drejtpërdrejt me prodhuesit e teknologjisë, pa garë, pa oferta konkurruese dhe pa syrin e publikut.

Nga Erion Malaj te Briseida Çakërri: Dy aktet e së njëjtës skemë
Në politikën shqiptare, pikërisht profilet e tilla rezultojnë më të dobishmet. Kur qeveria do të kalojë ligje të rënda, me kosto të lartë transparence dhe rrezik korrupsioni, ajo nuk del vetë në skenë me emrin e Këshillit të Ministrave — sepse nismat qeveritare kërkojnë konsultime të gjata publike, relacione të detajuara financiare dhe marrje të drejtpërdrejtë përgjegjësie politike.

Në vend të kësaj, ekzekutivi përdor një skemë të sprovuar: gjen një deputet pa asnjë lidhje me sektorin, i vë përpara një draft të gatuar në zyrat e qeverisë dhe e fut në Kuvend si “nismë ligjvënëse e deputetit”.

Ky nuk është një rast i izoluar, por vazhdimi i një operacioni të mirëfilltë dyfazor për të çmontuar prokurimet publike në teknologji. Akti i parë u luajt në janar-shkurt të këtij viti, kur pas hetimeve të SPAK-ut dhe skandaleve që mbërthyen AKSHI-n, qeveria vendosi t’ia hiqte këtij institucioni tenderat e mirëmbajtjes dhe ndërtimit të sistemeve.

Kush u zgjodh për ta propozuar këtë reformë madhore digjitale? Jo kryeministri dhe as ministrat e linjës, por një deputet i ri pa asnjë bagazh në fushën e teknologjisë: Erion Malaj, ish-drejtues i Institutit “Konfuci”.

Me firmën e Malajt u miratua ligji nr. 25/2026, i cili krijoi shoqëritë aksionare operatore TIK (me të paktën 51% aksione shtetërore) për të marrë në administrim sistemet shtetërore.

Tani, në nëntor 2026, vjen akti i dytë. Pasi shoqëritë aksionare u krijuan me firmën e Malajt, duhej mekanizmi që këto shoqëri të shpenzonin miliona euro pa u penguar nga ligji i prokurimit publik. Kësaj radhe, stafetën e merr Briseida Çakërri.

Një deputete që nuk shpjegon dot as efektin e kursit të këmbimit, shfaqet papritur si hartuese e një nenit teknik — nenit 26/2 — që rregullon cloud computing, enterprise agreements dhe licencimin e infrastrukturës digjitale të shtetit. Është e qartë se ligjin nuk e ka shkruar ajo; ajo është thjesht mbajtësja e stilolapsit për një draft të prodhuar nga grupet e interesit brenda ekzekutivit.

Një “kalë Troje” i maskuar si licencë
Nën petkun e modernizimit dhe sigurisë kibernetike, ky projektligj me vetëm dy nene i bën atentatin më të rëndë financave publike. Ai e nxjerr ligjin e prokurimit publik jashtë loje dhe u jep shoqërive operatore TIK një çek të bardhë për të lidhur kontrata drejtpërdrejt me prodhuesit e teknologjisë — pa garë, pa oferta konkurruese dhe larg syrit të publikut.

Mjafton të lexosh pikën 2 të nenit 26/2 për të kuptuar se fjala “licencë” është përdorur si një kalë Troje ligjor. Ligji nuk flet vetëm për blerjen e një programi kompjuterik. Ai fut në të njëjtin thes shërbimet cloud, “funksionalitetet teknologjike”, si dhe shërbimet e mbështetjes dhe mirëmbajtjes, madje edhe për pajisjet hardëare.

Në industrinë e sotme të teknologjisë, ku çdo infrastrukturë shtetërore funksionon mbi servera cloud dhe kontrata mirëmbajtjeje, ky përkufizim elastik thith brenda vetes pothuajse çdo shpenzim të mundshëm në IT. Çdo gjë mund të etiketohet si “funksionalitet teknologjik” apo “mirëmbajtje e lidhur me licencën” për të anashkaluar procedurat e hapura.

Monopolizimi i tregut dhe vdekja e konkurrencës
Alibia e relacionit se “kur licencat nuk sigurohen drejtpërdrejt nga prodhuesi, vijon të zbatohet prokurimi publik” është një fasadë e dobët. Kur i jep një shoqërie aksionare lirinë e plotë të negociojë me dyer të mbyllura me gjigantët globalë, nuk do të ketë më asnjë arsye pse ato kontrata të kalojnë nëpër tendera të hapur.

Pasoja e menjëhershme është asgjësimi i tregut lokal të IT-së. Kompanitë shqiptare dhe rajonale të teknologjisë, të cilat deri më tani konkurronin për mirëmbajtjen dhe integrimin e sistemeve, përjashtohen me një të rënë të lapsit, duke ua lënë vendin marrëveshjeve direkte me korporatat e huaja.

Për më tepër, duke qenë se këto shoqëri operatore TIK janë shoqëri aksionare ku shteti ka mbi 51% (duke lënë hapësirë edhe për aksionerë të tjerë apo partneritete të mbyllura), largimi i garës publike krijon terrenin ideal për pazare të paauditueshme.

Transparencë zero dhe rrezik i lartë korrupsioni
Argumenti se “klienti i vetëm” do të ulë çmimet është i rrezikshëm kur mungon mekanizmi i verifikimit. Në një treg të hapur, është gara ajo që garanton çmimin më të ulët.

Kur një drejtues i një shoqërie shtetërore ulet në tavolinë vetëm për vetëm me një prodhues, kush e garanton publikun se çmimi i rënë dakord është vërtet “preferencial” dhe jo i fryrë?

Fakti që ligji kërkon që në marrëveshje të shkruhen “kushtet ekonomike” dhe që operatori shtetëror nuk do të vendosë marzh fitimi mbi licencat, janë garanci qesharake. Abuzimi me fondet publike në teknologji nuk ndodh te marzhi i fitimit të një ndërmjetësi shtetëror, por te çmimi bazë i kontratës së negociuar në errësirë, te sasia e licencave të porositura pa nevojë reale dhe te specifikimet teknike që përshtaten për një kompani të vetme.

Është e vërtetë që procedurat e prokurimit publik në Shqipëri janë shpesh të ngadalta. Por vendet demokratike i reformojnë dhe i përshpejtojnë procedurat e prokurimit, nuk i fshijnë ato nga harta duke përdorur si mburojë deputetë që nuk e kanë idenë se çfarë po firmosin. Me këtë votë, Kuvendi nuk po e bën qeverisjen elektronike më efikase; po e bën atë të paauditueshme, duke kthyer parimin e garës publike në një relike të së shkuarës./Kapitali

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.