Prokuroria e Beratit ka vendosur sekuestrimin e pasurive të shtetasit D.L. dhe personave të lidhur me të, nën dyshimin për pastrim të parave të përfituara nga veprimtaria kriminale. Sipas hetimeve të nisura që prej vitit 2018, D.L. është hetuar dhe dënuar nga autoritetet e drejtësisë në Spanjë dhe Greqi për trafikim të lëndëve narkotike. Që prej vitit 2017, ai ndodhet i ndaluar në Spanjë për të njëjtën vepër penale. Nga analiza financiare për periudhën 2005–2016, organi i akuzës ka konstatuar se të ardhurat e ligjshme të tij dhe familjarëve nuk justifikojnë investimet e kryera. Dyshohet se paratë e drogës janë investuar në qytetin e Poliçanit, ku ai banon, përmes blerjes së dyqaneve, apartamenteve, automjeteve dhe hapjes së bizneseve si bar-kafe e dyqane të ushqimit të shpejtë.