Nis grumbullimi i protestuesve para Ministrisë së Arsimit, policia nuk lejon bllokimin e qarkullimit
Inspektorati i Përgjithshëm, i drejtuar nga Dashnor Sula, ka shkarkuar nga detyra katër inspektorë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), pas shkeljeve të konstatuara në procedurën e kontrollit të ngarkesës prej 27 tonësh me mish derri të importuar nga Brazili.
Vendimi disiplinor vjen pas hetimit administrativ dhe shqyrtimit të përgjegjësive individuale të punonjësve, të cilët akuzohen për mosverifikim të dokumentacionit dhe certifikatave përkatëse, si dhe për lejimin e kalimit të ngarkesës në kundërshtim me kërkesat ligjore.
“Njoftim për Shtyp. IP shkarkon nga detyra 4 inspektorë të AKU për rastin e ngarkesës 27 tonësh me mish derri nga Brazili.
Inspektorati i Përgjithshëm merr masa disiplinore për shkeljet e konstatuara në procedurën e inspektimit të ngarkesës prej 27 tonësh me mish derri, subjektit KING-MIT
Inspektorati i Përgjithshëm ka shqyrtuar përgjegjësitë e punonjësve të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, lidhur me procedurën e inspektimit të ngarkesës me mish derri me origjinë nga Brazili, të importuar nga subjekti KING-MIT.
Pas shqyrtimit të dokumentacionit, zhvillimit të seancave dëgjimore dhe vlerësimit të përgjegjësive individuale, Komisioni Disiplinor vendosi:
▪️ L.B., Inspektor Kontrolli në Pikën e Kalimit Kufitar pranë AKU-së, Durrës – masën disiplinore “Largim nga detyra”, për mosverifikimin e plotë të dokumentacionit të ngarkesës, mosverifikimin e stabilimentit të autorizuar për eksport dhe të vërtetësisë së certifikatës, duke lejuar kalimin e ngarkesës në kundërshtim me kërkesat ligjore.
▪️ E.T., K.K. dhe M.G., inspektorë pranë Drejtorisë Rajonale të AKU-së, Fier – masën disiplinore “Largim nga detyra”, për mosverifikimin e plotë të dokumentacionit, mosidentifikimin e të gjitha shkeljeve të konstatuara dhe vendosjen e një mase administrative jo proporcionale me natyrën dhe rëndësinë e shkeljeve.
Inspektorati i Përgjithshëm ka administruar dokumentacionin e përcjellë nga AKU-ja, ka kërkuar vlerësimin e përgjegjësive të punonjësve të përfshirë, ka ngritur Komisionin Disiplinor dhe ka zhvilluar dy seanca dëgjimore, përpara marrjes së vendimeve disiplinore.
Gjithashtu, për shkak të kompleksitetit të rastit dhe problematikave të konstatuara, Inspektori i Përgjithshëm ka urdhëruar verifikimin e ligjshmërisë së procedurave administrative të ndjekura nga Drejtoria e Përgjithëshme e AKU-së për importimin dhe inspektimin e ngarkesës, me qëllim shqyrtimin e plotë të dokumentacionit, veprimeve të kryera dhe përgjegjësive të strukturave të përfshira.
Inspektorati i Përgjithshëm tërheq vëmendjen e të gjithë Inspektorëve të AKU pranë PIK se nuk do të tolerojë asnjë pakujdesi, neglizhencë apo shkelje të procedurave dhe ligjit. Siguria Ushqimore qëndron në krye të listës së prioriteteve, ndaj IP mbetet i vendosur në misionin e tij për të dekurajuar çdo formë të mosrespektimit të ligjit dhe shmangies së përgjegjësive, duke garantuar zbatimin e kuadrit ligjor dhe forcimin e kulturës së përgjegjshmërisë”, shkruhet në njoftim.
Top Channel